Mbilodhja, nëna vret aksidentalisht dy djemtë

29/04/2013 17:30

Vënia në jetë e një fëmije ka një kosto të madhe fizike, të cilën shumë prindër nuk kanë qenë të përgatitur ta përballojnë.

Netë pa gjumë dhe përkujdesje e vazhdueshme 24 orë në 24 në muajt e parë, e bëjnë jetën tepër të mundimshme, për secilin prej prindërve.

Me shumë nëna, që për shkak të kontratave të punës detyrohet të rikthehen në detyrë pak kohë pas lindjes, mbilodhja është një problem shumë më i madh.

Në rastin e një nëne australiane, sfilitja u shndërrua në një tragjedi, e cila ka fituar një vëmendje kombëtare në të gjithë vendin.

Miranda Hebble, në qytetin e Perthit, vendosi dy djemtë e saj, 2 vjeç dhe 10 muajsh në vaskë, për t’i bërë dushin e zakonshëm.

Pasi vendosi fëmijët në vaskë, ajo shkoi të shtrihej, me qëllim që të relaksohej për pesë minuta, ndërsa dy vëllezërit mund të argëtoheshin duke luajtur me ujin, një aktivitet i tyre i preferuar.

Megjithatë, e sfilitur nga netë të tëra pa gjumë për shkak të të qarave të djalit të vogël, Miranda u zhyt në një gjumë të thellë prej 10-orësh.

Kur u zgjua, nëna shkoi të kontrollonte djemtë, por pa të birin 10-muajsh duke notuar përmbys mbi vaskë, ndërsa djalin e madh të shtrirë të pajetë në dysheme.

2-vjeçari, duke shfrytëzuar të gjithë forcën e tij fizike, kishte arritur të kapërcente vaskën, por kishte ndërruar jetë pak më vonë, si rrjedhojë e mbytjes nga uji që kishte pirë e përplasjes së kokës në dysheme në momentin e daljes nga vaska.

Babai i fëmijëve, Christopher Stevens, u lajmërua për fatkeqësinë ndërsa ishte në punë, pasi si i vetmi i punësuar i familjes, i duhej të punonte me orë të gjata, shpesh jashtë qytetit.

I shkatërruar nga dhimbja, ai vendosi që të ndahej nga bashkëshortja, të cilën e konsideron përgjegjëse. Nga ana e saj, Miranda përballet me një proces gjyqësor për vrasje nga pakujdesia dhe një trajtim psikologjik për të përballuar traumën.

Mbi të gjitha, rasti i saj fitoi një vëmendje të gjerë mediatike, duke shërbyer si një rast apeli dhe ndërgjegjësimi për të gjithë ata punëdhënës, që ushtrojnë presion mbi punonjëset e tyre që të rikthehen në punë, sa më shpejt pas lindjes.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA