Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar të hënën se në muajin maj në Bruksel do të mbahet takim i ri me përfaqësuesit e Prishtinës.

“Sipas informacioneve që vijnë nga zyra e baroneshës Ashton, në muajin maj na presin takime të reja”, ka thënë Daçiç për gazetarët në Beograd.

Daçiq ka thënë se bashkë me zëvendësin e tij, Aleksandër Vuçiç, të martën do të takohen edhe njëherë me përfaqësuesit e serbëve të Kosovës.

“Nga takimi i fundit nuk ka ndryshuar asgjë dhe referendumi mbi marrëveshjen për normalizimin e raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës do të zhvillohet në afatin më të shkurtër të mundshëm”, ka nënvizuar Daçiç.

Duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, kreu i qeverisë serbe ka shtuar se, Serbia nuk mund të presë me muaj të tërër për zbatimin e marrëveshjes.

Nga ana tjetër, vetë zëvendëskryeministri Vuçiq është shprehur i bindur se shumica e qytetarëve të Serbisë do ta pranojnë marrrëveshjen për normalizimin e raporteve me Kosovën nëse dalin në referendum.

“Presim vendimin përfundimtar të serbëve të Kosovës. Referendumi ka kuptim nëse ata janë të gatshëm ta zbatojnë, në rast se rezultati nuk shkon në favor të tyre”, ka thënë Vuçiç gjatë një vizite në Zagreb.

Ai ka shtuar se qeveria nuk do të pranojë shantazhin e pakicës dhe ka riktujtuar se do të japë dorëheqjen nëse marrëveshja nuk kalon në referendum.

Mbajtja e këtij referendumi, që Beogradi synon ta shtrijë edhe në territorin e Kosovës, është kundërshtuar nga autoritetet e Prishtinës zyrtare, të cilët e kanë cilësuar si një veprim jokushtetues.

Duke iu referuar ligjeve ndërkombëtare, ata kanë deklaruar se, askush nuk ka të drejtë të mbajë një referendum popullor në territorin e një shteti tjetër. 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA