Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Europian, Ulrike Lunaçek vlerëson se marrëveshja e arritur në dialogun mes Prishtinës dhe Beogradit në Bruksel është një hap i madh dhe historik, i cili është i nevojshëm për Kosovën dhe Serbinë, në mënyrë që të dy vendet shkojnë drejt integrimeve europiane.
Por, ajo ka vlerësuar se Serbia nuk do të mund të anëtarësohet në Bashkimin Europian pa njohjen e plotë të Kosovës.
Në fjalën e saj, Lunaçek theksoi se “Beogradi, njerëzve të vet, pakicës serbe në veri të Kosovës, duhet t’ua sqarojë se kjo marrëveshje është më e mira për banorët e atjeshëm”, transmeton “Telegrafi”.
Ajo ka thënë se mbështet fillimin e negociatave me Serbinë, por se në fund, para anëtarësimit në BE, Serbia do të jetë e detyruar ta njohë Kosovën. “Serbia nuk do të mund të anëtarësohet në BE pa njohjen e Kosovës”, shtoi raportuesja.
“Askush në Bruksel nuk mund të qëndrojë indiferent, pavarësisht nga qëndrimi që do të ketë ndaj Serbisë apo Kosovës dhe të lejojë krijimin e një Qiproje të re në BE, sepse ky është testi i një shteti kufijtë e të cilit nuk janë të përcaktuar. Diçka e tillë do të ishte tejet problematike”, shtoi Lunaçek.
Në fjalën e saj, raportuesja gjithashtu vlerësoi se integrimi i Ballkanit në BE është i vetmi proces që do të garantonte paqen e qëndrueshme dhe afatgjatë në rajon.
Top Channel