Vllaznim Rexha, nga komuna e Gjakovës, ishte vetëm 14 vjeç kur para syve të tij ndodhi një nga masakrat më të mëdha që njeh lufta e Kosovës, Masakra e Mejës.

14 vjet pas luftës, teksa është kthyer për të nderuar familjarët e tij, ai rrëfen ngjarjen e hidhur në të cilën ishin vrarë, masakruar e zhdukur nga forcat serbe afro 400 shqiptarë.

“Isha 14 vjeç në atë kohë. Diku nga ora 4 e mëngjesit zgjohemi. Vijnë prindërit dhe më thonë: hajde se erdhën ata”, tregon Rexha.

Të paktën 17 viktima nga masakra e Mejës ende figurojnë në listën e të zhdukurve. Përveç zbardhjes së fatit të tyre, familjarët sot kërkojnë që autorët e këtyre krimeve të vihen para drejtësisë.

Në manifestimin qendror, i cili shënon 27 prillin si ditën e të zhdukurve të Kosovës, presidentja Atifete Jahjaga përçoi mesazhin e saj nga Meja, se institucionet e Kosovës do të angazhohen që kriminelët të sillen para drejtësisë.

“Masakra e Mejës është një nga goditjet më të mëdha që armiku u mundua t’ia bëjë popullit tonë. Është masakra në të cilën e pësuan një numër i madh i njerëzve të të gjitha moshave, duke mos kursyer as fëmijët dhe as pleqtë. Okupatori këtë e bëri me qëllim që të nxisë shpërnguljen dhe të bëjë spastrimin etnik”, kujtoi Jahjaga.

“Si presidente e vendit ju them se ne si institucione, me ndihmën edhe të misionit ndërkombëtar, asnjëherë nuk do të ndalemi derisa të gjithë këta kriminelë të mos i nxjerrim përpara drejtësisë. Nuk ka dhe nuk do të ketë amnisti për ta. Nuk ka vend ku mund të fshihen”, premtoi ajo.

Të pranishëm në vendin që ka marrë emrin “Lëndina e Pikëllimit” ishin edhe hetues të EULEX-it. Misioni i Bashkimit Europian ka konfirmuar se ka nisur hetimet për zbardhjen e krimeve të luftës në komunën e Gjakovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA