Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe FBI-ja forcojnë institucionin e forensikës në Kosovë, duke instaluar platformën e bazës së të dhënave për ADN-në, “Codis”.
Kjo do të thotë se të gjitha analizat e ADN-së, për zgjidhjen e krimeve të dhunshme dhe zbulimin e identitetit të eshtrave të paidentifikuara, do të mund të kryhen në Kosovë, pa pasur nevojë të dërgohen në laboratoret e vendeve të tjera.
Në ceremoninë e përfundimit të projektit, ku u dhanë edhe çertifikata për zyrtarët kosovarë të trajnuar nga FBI-ja, minsitri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, tha se “Codis” është një bazë e të dhënave, ku vendosen profilet e ADN-së me mundësi krahasimi automatik dhe shkëmbim të të dhënave.
Instalimi i “Codis”-it, apo sistemit të kombinuar për indeksimin e ADN-së, u vlerësua si hap i rëndësishëm nga drejtori i Departamentit të Mjekësisë Ligjore, Arsim Gërxhaliu, në zbulimin e krimeve.
Por, sipas Gërxhaliut, kjo nuk do të përdoret për identifikimin e eshtrave të të pagjeturëve në Kosovë, sepse ky është një proces, që është duke vazhduar në laboratorin e Bosnjës.
Me instalimin e plotë të “Codis”-it, Agjencia e Forensikës së Kosovës do të bashkohet me 75 laboratorë, në më shumë se 40 shtete të botës, në përdorimin e “Codis”-it për menaxhimin e të dhënave të ADN-së.
Top Channel