Forcat e policisë në Selanik kanë arrestuar pesë shtetas grekë, anëtarë të një rrjeti kriminal që ishte gati të hidhte në tregun e Greqisë së Veriut dhe më pas të Ballkanit mbi 1 milion dollarë në kartmonedha të falsifikuara.
Pas një operacioni që kishte më shumë se 20 ditë që përgatitej, organet e rendit kanë asgjesuar këtë grup që vepronte në një shtëpi me qera në një prej lagjeve të qytetit verior të Greqisë, ku janë gjetur edhe printerat me të cilët prodhoheshin kartmonedhat.
Policia ka arrestuar në fillim dy prej falsifikatorëve gjatë një shkëmbimi që ata donin të bënin për një shumë prej 80.000 dollarësh me 20.000 euro dhe më pas ka arrestuar edhe tre personat e tjerë, mes të cilëve edhe një vajzë 32-vjeçe.
Gjatë aksionit policor janë gjetur dhe konfiskuar 675.000 dollarë në kartmonedha të falsifikuara prej 100 dollarësh, 15.000 kartmonedha pothuajse gati për t’u shtypur në prerjen e 100 dollarëshit dhe tetë të tjera për t’u provuar në kartmonedhën e 500 eurove.
Sipas policisë, bëhet fjalë për një nga rastet më të rëndësishme të asgjesimit të falsifikatorëve të kartmonedhave në vitet e fundit në vend, pasi cilësia e tyre ishte tepër e lartë sa nuk mund të dallohej nga disa prej aparateve të posaçme.
Përveç parave janë gjetur dhe konfiskuar edhe pajisjet e printerave, lëndë kimike, një kompjuter, telefona celularë dhe dy automjete. Hetimet e policisë po vazhdojnë përsëri pasi dyshohet se një pjesë e madhe e këtyre kartmonedhave është hedhur në tregjet e vendeve ballkanike.
Top Channel