Ende mbetet e paqartë se cili do të jetë roli i Forcës së Sigurisë së Kosovës në lidhje me veriun. Më herët është raportuar se, pas marrëveshjes Kosovë-Serbi FSK nuk do të mund të shkojë në veri pa lejen e KFOR-it.

Deputeti i PDK-së, Fatmir Xhelili thotë se nuk beson që në këtë fazë ka nevojë që FSK të jetë në veri, pasi janë trupat e NATO-s që bëjnë sigurinë e gjithë territorit të Kosovës.

“Për këtë fazë nuk besoj që FSK-ja ka nevojë të jetë në veri. Mendoj se është KFOR-i ai që garanton sigurinë e tërë territorit të Kosovës, përfshirë pjesën veriore. Nëse ka nevojë, në bashkëpunim me KFOR-in, FSK do të veprojë në fazat fillestare, ndërsa në fazat e mëvonshme ajo do të jetë përgjegjëse”, deklaroi Xhelili.

Ndërsa kryetari i Komisionit Parlamentar për Punë të Brendshme dhe Mbikëqyrje të FSK-së, Ahmet Isufi, pa përmendur periudha kohore, tha se është detyrim kushtetues i institucioneve që të shtrihen në të gjithë territorin e vendit.

“Besojmë se në të ardhmen, në bazë të zhvillimeve që do të ndodhin, ushtria e Kosovës do të jetë një ushtri në raport me ushtritë e tjera. Detyrimi kushtetues i institucioneve është që ajo të shtrihet në tërë territorin e vendit”, tha Isufi.

Ndërkohë, deputeti i Vetëvendosjes, Rexhep Selimi u shpreh se prania e FSK-së në veri nuk do të duhej të vihej në dyshim, kurse në anën tjetër kritikoi qeverinë pasi sipas tij, FSK-së nuk po i jepen kapacitetet e plota ligjore dhe politike.

“Kapacitetet ligjore dhe politike FSK-së do të duhej t’ia jepte qeveria, që nuk po ia jep. Dhe arsyeja kryesore pse nuk po ia jep është raporti që ka krijuar me Serbinë dhe bisedimet që ka zhvilluar me të”, nënvizoi Selimi.

Sidoqoftë, gjatë së premtes komisioni parlamentar i dha mbështetje projektligjit përmes të cilit rregullohet dërgimi i FSK-së në misione jashtë vendit. Tashmë ky ligj do të proçedohet në Kuvend për miratim, në shqyrtimin e parë dhe të dytë.

FSK është duke u fuqizuar  nën mbikëqyrjen e NATO-s, ndërsa gjatë verës pritet që NATO të bëjë një vlerësim për zhvillimin e saj. Në Kosovë pritet që Aleanca të japë konsensusin për transformimin e kësaj njësie në Ushtri të Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA