Fati i marrëveshjes Kosovë-Serbi varet pikërisht nga zbatimi i saj në veriun e Kosovës. Ky është vlerësimi i subjekteve politike që kanë mbështetur këtë marrëveshje, në ditën që delegacionet përkatëse janë takuar në Bruksel për të hartuar planin e zbatimit të saj.

Ish-Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, aktualisht deputet i PDK-së, Behar Selimi thotë për Top Channel se pret që plani të sfidohet gjatë zbatimit në veri të Kosovës, por ai është optimist për sukses.

“Pres që të sfidohet plani i zbatimit nga ekstremizmi politik dhe radikal serb në veri të Kosovës, por edhe në Serbi, dhe pres që të sfidohet sidomos nga strukturat e krimit të organizuar të cilëve me këtë plan do t’u rrëshqas traulli. Por, megjithatë, mekanizmat e zbatimit të sigurisë vendore e ndërkombëtare janë premtues sepse prapa zbatimit qëndron edhe KFOR-i, siç është zotuar NATO, por edhe EULEX-I”, deklaroi Behar Selimi, deeputet i PDK.

Ndërkaq, deputeti i LDK-së, Lutfi Haziri thotë se pritja kryesore është shpërbërja e strukturave paralele serbe dhe se pjesa tjetër pastaj është lehtë e zbatueshme.

“Pritjet jaën të shpërbëhen strukturat paralele. Ky është hapi kryesor dhe pritja kryesore që Kosova e ka sot… Nuk mund më të presë që në pjesën e saj të rritet tumori tashmë i gjeneruar nga Serbia. Serbia duhet të tërhiqet nga financimet, nga ndikimet negative dhe duhet të bashkëpunojë në shpërbërjen e strukturave paralele. Pjesa tjetër e marrëveshjes është lehtë e implementueshme dhe nuk mund të sfidohet”, u shpreh Haziri.

Krejt ndryshe nga PDK dhe LDK, deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje Rexhep Selimi, kundërshton marrëveshjen e arritur në Bruksel dhe zbatimin e saj.

“Kjo marrëveshje edhe nuk është e implementuar, por nuk do të duhej të implementohej dhe as thirrja për implementim nuk do të duhet të vinte nga këtu. Kosova nuk do të duhej të implementohej jo për shkak që i favorizon serbët, por për shkak se i disfavorizon shqiptarët dhe për shkak se është në dëm të sovranitetit të Kosovës dhe në dëm të Republikës së Kosovës, ku këtë Kosovë të shpallur të pavarur dhe sovrane nuk e bënë të tillë pas nënshkrimit të saj”, deklaroi deputeti i VV, Selimi.

Që nga arritja e marrëveshjes në Bruksel, më 19 prill, kryetarët ilegalë të komunave në veri kanë organizuar disa protesta për të kundërshtuar atë dhe zbatimin e saj.

Top Channel