Kryeministri spanjoll Mariano Rajoy ka deklaruar se vendi i tij nuk ka ndërmend ta njohë pavarësinë e Kosovës, pavarësisht marrëveshjes së arritur me Serbinë.
“Ne kemi një pozicion për këtë çështje. E kemi prej disa vitesh dhe është një qëndrim i qeverisë që nuk ndryshon. Kjo do të thotë se ne nuk do ta njohim pavarësinë e Kosovës, sepse Spanja nuk beson në shpalljet e njëanshme të pavarësisë”, ka thënë Rajoy.
Sipas gazetës “Express”, Rajoy ka lënë megjithatë të kuptohet se Madridi zyrtar do të jetë konstruktiv në rrugën europiane të Kosovës.
“Logjikisht, ne mund të përkrahim gjithçka që shkon në favor të mirëqenies së banorëve atje, por ne nuk kemi ndërmend ta njohim pavarësinë e Kosovës, edhe pse respektojmë opinione të tjera të ndryshme”, ka shtuar kryeministri spanjoll.
Spanja është një nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, bashkë me Greqinë, Rumaninë, Sllovakinë dhe Qipron, që nuk ka njohur pavarësinë e Kosovës.
Ndër argumentet e mëhershme që Madridi zyrtar ka paraqitur për këtë qëndrim ka qenë problemi që shteti spanjoll ka me separatistët baskë që kërkojnë pavarësinë e kësaj zone.
Por pavarësisht kësaj, deri më sot asnjë prej fraksioneve separatiste spanjolle nuk e ka përmendur si shembull pavarësinë e Kosovës, e njohur nga mbi 90 vende të ndryshme të botës.
Top Channel