Pas rekomandimit pozitiv për Kosovën, Komisioneri për Zgjerim, Stefan Fule, priti në Bruksel zv/kryeministren Mimoza Kusari Lila, e cila mbulon çështjet e tregtisë, si dhe ministren për Integrimin Europian, Vlora Çitaku, me të cilën zhvilloi një konferencë të përbashkët për shtyp pas takimit.

“Komisioni do të bëjë atë që mundet, për të ndihmuar dhe drejtuar propozimet e tij ndaj Këshillit, por Kosova duhet të zbatojë me shpejtësi marrëveshjen e së premtes së kaluar dhe marrëveshjet e tjera të dialogut, si dhe të vazhdojë veprimet me axhendën e reformave të Bashkimit Europian. Gjithashtu, Kosova duhet të vazhdojë të përgatitet për negociatat e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, kurdo që të fillojnë ato”, tha Stefan Fule, Komisioner për Zgjerimin e Fqinjësinë.

“Ne besojmë me forcë, se marrëveshja mes Kosovës dhe Serbisë do të rrezatojë dhe jehojë në të gjithë rajonin, si dhe do të frymëzojë vendet e tjera për të arritur kompromiset e nevojshme për hir të së ardhmes”, tha Vlora Çitaku, ministre e Kosovës për Integrimin Europian.

Të hënën, raporti i Komisionit ndaj Këshillit vlerësoi se Kosova i kishte përmbushur prioritetet afatshkurtra, të përcaktuara në studimin e fizibilitetit mbi shtetin e së drejtës, administratën publike, tregtinë dhe mbrojtjen e minoriteteve, ndaj rekomandohej nisja e negociatave për një MSA.

Përgatiti: Arta TOZAJ

Top Channel