
Një nënkomision i Dhomës së Përfaqësuesve të Kongresit amerikan diskutoi
të mërkurën për Kosovën dhe Serbinë, për herë të parë që nga arritja e
marrëveshjes së javës së kaluar mes dy vendeve.
Përfaqësuesi i Departamentit të Shtetit, Jonathan Moore shprehu optimizëm për kompromisin, por anëtarët e Kongresit dhe analistët e ftuar ishin të ndarë në mendimet e tyre për efektivitetin e kësaj marrëveshjeje dhe se çfarë do të sjellë ajo për dy vendet.
Sipas raportimeve të “VOA”, seanca e së mërkurës u karakterizua nga vlerësime për marrëveshjen e arritur, por njëkohësisht edhe nga shqetësimet për zbatimin e saj dhe mosbesimin se ajo nuk zgjidh problemet më të thella për të ardhmen e vendit.
Zoti Moore, drejtor për Çështjet e Evropës Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit, tha se marrëveshja përfshin zgjidhje të qëndrueshme për veriun e Kosovës, “brenda kuadrit ligjor dhe institucional të Kosovës me vetëqeverisje të gjerë lokale, në bazë të ligjeve të Kosovës”. Ai tha se SHBA nxit Kosovën dhe Serbinë që t’i zbatojnë të gjitha marrëveshjet.
“Pavarësisht nga vështirësitë, kjo marrëveshje është mënyra më e mirë për të ecur përpara. Pajtimi është synimi i Serbisë dhe Kosovës dhe jo ndarja, apo shkëmbimi i territoreve”, deklaroi Moore.
Zyrtari i lartë theksoi qëndrimin amerikan se integrimi evropian është rruga më e mirë për Ballkanin. Ai tha se nuk bëhet fjalë që të ndryshohen kufijtë në bazë të ndarjeve etnike. Ky pohim ishte një reagim ndaj qëndrimit të shprehur në mënyrë të përsëritur nga kreu i nënkomisionit për Evropën dhe Eurazinë, republikanit nga Kalifornia Dana Rohrabacher, për shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës.
“Prandaj sovraniteti i autoriteteve kosovare është një fasadë, një iluzion që në të ardhmen do të dëmtojë të dyja palët. Thelbi i sovranitetit është kontrolli i forcave të sigurisë. Marrëveshja e vendos personelin e sigurisë dhe rendit nën komandën e Kosovës, megjithatë komandanti rajonal i Veriut do të jetë një serb vendas i emëruar nga qeveria e Kosovës, i zgjedhur nga një listë e paraqitur nga kryebashkiakët serbë”, tha Moore.
Zoti Rohrabacher, që drejtonte seancën, tha se marrëveshja nuk kënaq banorët e veriut. Duke u nisur edhe nga përgjigjet e zotit Moore, që siguria në Veri do të garantohet nga KFOR-i, ai tha se në fakt ajo që është vendosur në veri është autonomi.
Ndërsa kongresmeni Elliott Engel e quajti marrëveshjen historike dhe uroi kryeministrat e dy vendeve për arritjen e kompromisit. Zoti Engel tha se marrëveshja rikonfirmon edhe një herë pavarësinë dhe sovranitetin e Kosovës.
“Bashkimi Evropian po i ofron tani Serbisë një datë për negociatat për anëtarësim. BE-ja duhet t’i ofrojë edhe Prishtinës atë që e kanë edhe vendet e tjera të Ballkanit: një rrugë të qartë dhe transparente për anëtarësim”, theksoi Engel.
Por një nga çështjet që shtroi zoti Engel ishte fakti që Kosova në çdo hap mund të hasë veton e vendeve të BE-së që nuk e kanë njohur atë dhe i nxiti këto vende që ta ndërmarrin tani këtë hap.
Për analistin Daniel Serwer, marrëveshja është pozitive, por ai shtoi se nuk është e mjaftueshme, duke theksuar se duhet të ketë njohje dhe këmbim ambasadorësh. Ai gjithashtu iu rikthye temës së këmbimit të territoreve.
“Çdo diskutim për këmbim territori do të sillte destabilitet në Bosnje, Maqedoni dhe vetë Serbinë. Marrëveshja është pozitive por duhet bërë më shumë”, deklaroi Serwer.
Top Channel