
Marrëveshja e arritur me Serbinë mbyll kapitullin e së kaluarës, ndërkohë që hap kapitullin e ri të së ardhmes euroatlantike të Kosovës.
Kështu ka deklaruar të enjten presidentja e Kosovës Atifete Jahjaga, pas një takimi me ministrin e Jashtëm shqiptar, Aldo Bumçi.
“Kjo marrëveshje i kontribuon paqes dhe stabilitetit në rajon. Tani duhet të fokusohemi në implementim e saj në praktikë, pasi vetëm kështu ajo do të ketë ndikim pozitiv në jetën e qytetarëve të të dy vendeve”, ka thënë Jahjaga.
Nga ana tjetër, shefi i diplomacisë shqiptare, Aldo Bumçi e ka vlerësuar me nota pozitive marrëveshjen midis Prishtinës dhe Beogradit, të nënshkruar në Bruksel nga kryeministrat Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiç.
“Kjo marrëveshje është historike dhe hap perspektivën evropiane të Kosovës, por edhe të Serbisë. Arritja e kësaj marrëveshjeje është shumë e rëndësishme për gjithë rajonin”, ka thënë Bumçi.
Bumçi ka zgjedhur Kosovën për të realizuar vizitën e parë zyrtare në rajon që kur mori këtë detyrë. Një ditë më parë ai u takua me homologun Enver Hoxhaj.
Marrëdhëniet mes dy vendeve tona, marrëveshja Kosovë-Serbi, integrimet europiane, e të tjera, ishin temat kryesore të takimit.
Bumçi bëri të ditur se janë duke përgatitur një memorandum, të cilin do t’ia bëjnë të njohur edhe ministrit Hoxhaj, në lidhje me gaz-sjellësin Trans Adriatik.
Ai tha se një element i rëndësishëm i këtij projekti është edhe lidhja nga veriu i Shqipërisë me vendet si Kosova, Mali i Zi, Bosnja dhe Kroacia.
Top Channel