Prokurorët e EULEX-it nga Prokuroria Speciale e Kosovës kanë nisur zyrtarisht hetimet për krime lufte të kryera në komunën e Gjakovës, më 27 dhe 28 prill 1999, duke përfshirë fshatrat Mejë, Orizë dhe fshatrat e tjera të Luginës së Rekës së Keqe.

Kjo është bërë e ditur nga misioni evropian, EULEX, përmes një komunikate dërguar mediave.

“Deri tani, prokurorët kanë identifikuar përafërsisht 20 të pandehur, të cilët mund të jenë subjekt i akuzave për krime lufte kundër popullatës civile, duke përfshirë edhe vrasjen e 372 personave gjatë një sulmi të kryer kundër popullatës civile shqiptare, e cila i qe nënshtruar torturës, trajtimit çnjerëzor, vuajtjes së madhe, largimit dhe zhvendosjes, konfiskimit të pasurisë dhe plaçkitjes, veprime këto jo të arsyetuara me nevojat ushtarake. Shumica e viktimave ishin zhvarrosur nga varreza masive në Batajnicë, Serbi”, theksohet në këtë njoftim.

Masakra e Mejës dhe e rrethinës pretendohet të jetë vrasja më e madhe masive që ndodhi gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë.

Top Channel