Qeveria e Kosovës përgatit planin për implementimin e marrëveshjes së arritur mes kryesministrit kosovar Hashim Thaçi dhe atij serb Ivica Daçiç.

Delegacioni kosovar i kryesuar nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi të mërkurën do të jetë në Bruksel për të biseduar për proçesin e zbatimit të marrëveshjes.

Kjo u bë e ditur nga  kryeministri Thaçi në mbledhjen e qeverisë. Thaçi nuk shpalosi detaje të planit implementues por tha se përbëhet nga afate kohore dhe akte nënligjore.

Deri më datë 26 prill palët duhet të dakordohen për fillimin e implementimit, pasi pas kësaj periudhe marrëveshja kërkon ratifikimin nga Kuvendi i Kosovës.

“Plani i Kosovës për implementimin e marrëveshjes parasheh akte ligjore, afate kohore dhe aktorë të implementimit, që janë të gjitha institucionet e Kosovës me mbështetjen e plotë të BE-së, SHBA-së dhe EULEX-it, NATO-s dhe OSBE-së. Implementimi i marrëveshjes është sfidë dhe fati i saj do të varet nga zbatimi”, deklaroi Thaçi.

Kryeministri Thaçi falendëroi gjithë kryetarët e partive politike veç e veç për mbështetjen që i kanë dhënë këtij proçesi. Ndërsa duke iu referuar zërit kundër të Vetëvendosjes, Thaçi tha se e kupton mendimin ndryshe, por sipas tij gjithmonë duhet të zbatohet rendi demokratik, vullneti i shumicës dhe shteti.

“Plani ynë është plan i paqes, i mirëkuptimit dhe i tolerancës. Një plan i jetesës së përbashkët për të ardhmen, i zhvillimit, i punësimit, i rritjes së mirëqenies sociale. Është plani i Kosovës demokratike dhe evropiane”, tha Thaçi.

Kabineti qeveritar në këtë mbledhje miratoi projektligjin për kimikatet, dokumentin për regjistrimin e mërgimtarëve, raportin tremujor të buxhetit dhe disa propozim vendime.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA