Shqiptarët kursejnë edhe ushqimet

24/04/2013 20:00

Të dhënat e fundit zyrtare të tregtisë me jashtë tregojnë se qytetarët po pakësojnë shpenzimet edhe për produktet bazë më të domosdoshme.

Sipas Institutit të Statistikave, në tre muajt e parë të vitit importet nga jashtë ishin 11.1 për qind më të ulëta se me një vit më parë, rënia më e fortë që prej 13 vjetësh.

Ndonëse pjesa më e madhe e saj i dedikohet përmirësimit të situatës energjetike, shifrat tregojnë se tkurrja e importeve ka prekur edhe produktet më bazë, veçanërisht ushqimet.

Sipas INSTAT, importi i mallrave ushqimore u ul në tremujorin e parë me 10.8 për qind krahasuar me vitin e kaluar. Kjo është hera e parë që Shqipëria përballet me rënie dyshifrore në importet e këtij zëri, çka dëshmon se tashmë qytetarët po pakësojnë edhe shpenzimet e të ushqyerit.

Tkurrja e të ardhurave të disponueshme, por edhe pasiguria e lartë për shkak të krizës, e kanë ndryshuar sjelljen e konsumatorëve në treg, që duken më të prirur drejt kursimeve.

Një situatë, të cilës biznesi ka filluar t’i përgjigjet duke pakësuar investimet. Në tre muajt e parë të vitit, importi i makinerive dhe pajisjeve u tkurr me 11.5 për qind.

Të gjendur përballë rënies së fuqisë blerëse në treg, sipërmarrjet hezitojnë të kryejnë investime të reja për të rritur prodhimin, një qerthull negativ që është një nga shkaqet kryesore se pse rritja ekonomike e vendit ka rënë në nivelet minimale.

I vetmi tregues pozitiv që vjen nga shifrat e tregtisë me jashtë është ai i eksporteve, të cilat janë rritur me 17 për qind krahasuar me vitin e kaluar.

Por shifrat tregojnë se në 90 për qind të saj kjo rritje i dedikohet eksporteve të naftës dhe atyre të energjisë elektrike për shkak të gjendjes së mirë në kaskadë.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA