Mourinho ruan qetësinë në konferencën për shtyp, përpara gjysmëfinales së Champions League kundër Borussia Dortmund.
“Në ankth? Nuk kam qenë kurrë. Kemi përgatitur sfidën më së miri dhe duam të fitojmë, por pa ushtruar presione”.
Mou shpërfill cështjen Gotze, për të cilin thotë “nuk më intereson”, dhe karikon të tijtë: “Disa prej lojtarëve të mi nuk e kanë fituar ende Champions-in, kështu që shpresoj që futbolli të tregohet i drejtë”.
Formacioni? Diego Lopez mund t’ia dalë mbanë, kështu që Casillas mund të përfundojë sërish në pankinë. “Do të luajnë Diego Lopez, Sergio Ramos, Varane, Pepe, Coentrao, Khedira, Xabi Alonso, Ronaldo, Higuain dhe Di Maria. I vetmi dyshim ka të bëjë me këtë të fundit, i cili sapo është bërë baba, por besoj se mund të luajë”.
Në krahun tjetër, Jurgen Klopp mezi pret të përballet me Real Madrid, në ndeshjen e parë të gjysmëfinaleve të Champions-it.
“Duam të luajmë dhe të fitojmë, tani më shumë se kurrë”. Tekniku gjerman i referohet ngjarjes së ditës, më saktë shitjes së Gotze-s te Bayern Munchen.
“E dija që ditën pas sfidës me Malaga-n. Pragsfida me Realin nuk ishte momenti më i mirë për ta bërë publik. Megjithatë, u kërkoj tifozëve ta përkrahin për të shkuar në finale”.
Në fakt, konferenca për shtyp ishte “monopolizuar” nga shitja e fantazistit: “Vitin e kaluar morëm Reus nga Gladbach, ai ka luajtur mirë. Gotze, lojtari perfekt për tiki-taka-n e Guardiola-s? Sigurisht, por edhe ne luajmë një futboll të atillë”.
Klopp përpiqet të tallet: “Ky në fakt nuk është momenti më i keq për ta publikuar lajmin, pasi nëse do bëhej 4 orë para ndeshjes do të ishte më keq!”. E megjithatë, sipas Klopp, “skuadra është e përqendruar dhe nuk do të shqetësohet prej këtij njoftimi”.
Top Channel