
Ferrat kanë mbuluar muret e atyre pak shtëpive të shqiptarëve në veri të Mitrovicës, ndërtimi i të cilave ka nisur prej disa vitesh. Kulmet e disa të tjerave, ndërkaq, nga cilësia e dobët e materialit ndërtimor kanë rënë përtokë.
Në lagjen Kroi i Vitakut mezi takojmë një shqiptar i cili pranon të shprehë mendimin e tij për marrëveshjen Prishtinë – Beograd. Pika tetë e marrëveshjes e cila u siguron strukturave serbe të sigurisë vend në institucionet e Kosovës ka zhgënjyer më së shumti shqiptarët e veriut shqiptarët.
“Ata kriminelë që kanë bërë keq, do të udhëheqin sërish dhe kjo s’është gjë e mirë”, thotë Ferat Rama, banor shqiptar i Kroit të Vitakut.
Shqiptarët kundërshtojnë marrëveshjen e Veriut me arsyetimin se marrëveshja prej 15 pikash për të cilën kanë rënë dakord palët, nuk ka parashikuar zgjidhjen e statusit të tyre.
Një banor tjetër nga veriu i Mitrovicës, por që këtë herë bëhet fjalë për një politikan, deputet në legjislaturën e Pakos së Ahtisarit, kritikon autoritetet qendrore se në 15 pikat e marrëveshjes nuk shqyrtohet fare fati i shqiptarëve të shpërngulur me dhunë nga veriu.
“Jemi në një pozitë të papërshtatëshme t’i pranojmë apo jo. S’kemi ca të bëjmë, por të paguajmë taksa për kriminelët, absolutisht jo”, deklaron Ramadan Kelmendi, banor i Lagjes së Boshnjakëve dhe ish-deputet i Kuvendit të Kosovës.
Ndonëse regjistrimi i popullsisë nuk ka prekur veriun e Kosovës, bazuar në një përllogaritje me të dhënat e vjetra, supozohet se aktualisht në këtë pjesë jetojnë rreth 3000 mijë shqiptarë.
Top Channel