Komiteti për Punët e Jashtme në Kongresin Amerikan do të diskutojë në
mbledhjen e së mërkurës edhe për marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.

Kongresmeni Dana Rohrabacher ka deklaruar se është në interes të dy vendeve që të zgjidhin problemet e deritanishme, pas nënshkrimit të marrëveshjes në Bruksel.

Kongresmeni, përgjegjës për çështjet e Evropës dhe Euroazisë, ka nënvizuar se Kongresi duhet të sigurohet që Departamenti i Shtetit po luan një rol konstruktiv në këtë çështje.

Marrëveshja e nënshkruar javën e kaluar mes Hashim Thaçit dhe Ivica Daçiç u përshëndet nga vetë sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, i cili uroi Serbinë dhe Kosovën.

Në një komunikatë, zoti Kerry vlerësoi se marrëveshja Kosovë-Serbi bazohet mbi parimet për normalizimin e marrëdhënieve dhe për këtë arsye ka një rëndësi të veçantë.

“Marrëveshja kërkoi kompromis dhe guxim politik nga të dyja palët. Ajo do të afrojë Serbinë dhe Kosovën më pranë integrimit evropian. Inkurajoj të dy vendet që të zbatojnë me shpejtësi marrëveshjet e arritura në këtë proçes”, tha Kerry.

Urime erdhën edhe nga ambasada amerikane në Prishtinë. Në një komunikatë për media nga selia diplomatike thuhej se:

“SHBA vlerësojnë përkushtimin e Përfaqësueses së Lartë të BE-së Catherine Ashton dhe ekipit të saj, si dhe lidershipin e treguar nga dy kryeministrat dhe ekipet e tyre”.

Top Channel