Gerard Pique është shprehur në një intervistë për ‘AS’ se nuk ka aspak frikë nga forma e shkëlqyer e Bayern Munchen në kuadër të gjysmëfinales së parë të Ligës së Kampioneve mes bavarezëve dhe katalanasve.
Mbrojtësi i Barçës deklaroi: “Kemi përballë një kundërshtar shumë të fortë, por të mos harrojmë se edhe ne jemi një skuadër e madhe dhe ka ikur koha kur futbolli luhej 11 kundër 11 dhe fitonin gjithmonë gjermanët. Ne i kemi dhënë fund asaj epoke. Barcelona dhe Spanja luajnë një futboll që ka ndryshuar historinë.”
Katalanasit do të luajnë kundër Bayern me probleme të mëdha në mbrojtje. Puyol dhe Mascherano janë të dëmtuar, ndërsa Adriano është i pezulluar. Në këtë mënyrë, Tito Vilanova do të fusë në formacion përkrah Pique të riun Marc Bartra.
“Bartra është gati për një sfidë të tillë. Në stërvitje është shumë i fuqishëm dhe do i zëvendësojë më së miri lojtarët që na mungojnë në prapavijë”, theksoi qendërmbrojtësi spanjoll.
Top Channel