Andrea Stefani – Kur arsyeja bie në gjumë, lindin përbindësha – ka thënë
Francisko Goja. Një thënie e vlefshme jo vetëm për individin, por edhe
për masat. Madje, janë këto të fundit që me arsyen e tyre të përgjumur
pjellin përbindëshat më tmerrues për lirinë e individit.
Këta përbindësha janë kultet e liderëve, të “shpëtimtarëve”, Mesia-ve të politikës. Një aksiomë që, përveçse në atë diktatoriale, po gjen provën edhe në Shqipërinë postkomuniste. Sepse pas rënies së regjimit komunist dhe kultit të diktatorit Enver Hoxha, një kult tjetër u ngrit, kulti i Sali Berishës si “demokrati më i madh në botë”. Shqipëria doli nga komunizmi, por jo nga epoka e “idhujve me krena”. Një dukuri që provon se në trutë e jo pak shqiptarëve nuk qe ndezur, madje nuk është ndezur akoma, llamba e arsyes për të kuptuar se ardhmërinë e begatë të një kombi, nuk e përgatit një lider, një Mesia, por institucionet jopersonale lirimbrojtëse. Prandaj Shqipëria mbetet e varfër. Ndërkaq, merita e vetme që një lider mund të ketë në mbrothtësimin e një kombi, është pikërisht kontributi për të themeluar këto institucione shpëtimtare. Dhe nuk ka krim më të rëndë, më antidemokratik kundër kombit, sesa asgjësimi i embrionit të këtyre institucioneve. Është pikërisht ajo që po bën prej më shumë se dy dekadash Berisha. Por më e keqja është se, pavarësisht bëmave të tij të denoncuara si aspak demokratike edhe nga ndërkombëtarët, ka ende jo pak shqiptarë që vazhdojnë ta votojnë Berishën, si “demokratin më të madh në botë”. Pse? Sepse arsyeja e tyre është ende në gjumë. Dhe është pikërisht kjo arsye e fjetur që ushqen kultin e Berishës, përbindëshin liringrënës që kërcënon ta varrosë demokracinë.
***
Arsyeja e fjetur nuk do t’ia dijë për faktet. Ajo është arrogante. Si përgjithësisht padituria. Për shembull, asaj i kanë mbushur kokën, ose ka interes të besojë se Berisha është patriot. Dhe këtë “bindje” nuk e çrrënjosin dot as faktet, që provojnë të kundërtën. As dërgimi i naftës kontrabandë në Serbi për tanket e avionët e Millosheviçit gjatë luftës së Kosovës, as etiketimi prej Berishës i UÇK-së terroriste, as sugjerimi për të mos nënshkruar marrëveshjen e Rambujesë, as falja e ujërave detare Greqisë.
***
Por, ka edhe më keq. Arsyeja në gjumë sfidon jo vetëm faktet, por edhe logjikën. Nga ana tjetër, faktet vërtet janë kokëforta, por ato edhe mund të interpretohen sipas interesit, mund të fshihen, cungohen, falsifikohen. Rrjedhimisht, autokrati mund të ekspozohet si demokrat, tradhtari si patriot dhe e kundërta. Ndërkaq të vërtetat logjike nuk mund t’i manipulosh kollaj. Dihet që 1 + 1 = 2 është një e vërtetë logjike e pacenueshme në të gjitha kohërat, për të gjithë njerëzit dhe sistemet. E megjithatë arsyeja e fjetur thuajse e arrin edhe këtë. Ajo rrëzon të vërteta që janë konfirmuar nga përvoja dhe kanë fituar statusin aksiomatik të një të vërtete logjike. Ja një shembull: Në politikë ka ca parime apo rregulla që historia ka provuar se janë jetike për demokracinë. Një i tillë është parimi i ndarjes dhe balancimit të pushteteve. Shkurt aty ku pushtetet nuk janë të ndara, nuk ka demokraci. Po ashtu, një lider që lakmon dhe kap të gjitha pushtetet nuk mund të jetë demokrat. Berisha ka bërë pikërisht këtë, ka kapur të gjitha pushtetet. Këtë gjëmë për demokracinë e pohon edhe raporti më i fundit i Departamentit Amerikan të Shtetit (DASH). Por ç’ndodh? Masa e mbështetësve të PD nuk zhgënjehen aspak nga Berisha, por vazhdojnë ta votojnë autokratin si liderin që lufton për “liri e demokraci”. Për ta nuk ka asnjë vlerë shqetësimi i ngritur nga DASH për kapjen e pushteteve.
***
Por nuk janë vetëm ca shqiptarë, arsyeja e të cilëve është atrofizuar nga gjysmë shekulli komunizëm dhe nga dy dekada tranzicioni traumatik, nga varfëria, nga lufta për mbijetesë apo edhe nga epshi për pasurim në këto kohë thuajse pa ligj, drejtësi dhe shtet. Janë edhe europianë si Vilfred Martens që, pikërisht në kohën kur Berisha kritikohet për kapjen autokratike të pushteteve, del në mbrojtje të puçit të tij për kapjen e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), që shihet qartazi se tenton manipulimin e zgjedhjeve. Ky politikan, president i partive konservatore europiane, e atij kampi politik që e ka të shenjtë ndarjen e pushteteve dhe rotacionin demokratik, inkurajon shqiptarët (ka 10 vjet që e bën këtë) që të vazhdojnë të votojnë autokratin Berisha, edhe pse kjo mund të jetë vdekjeprurëse për demokracinë në Shqipëri. Sepse është e rrezikshme që në një vend si Shqipëria me tradita ende të freskëta të liderit të përjetshëm, të inkurajosh jo rotacionin e shpeshtë (të paktën jo më shumë se dy mandate) por qëndrimin për 30 vjet e kusur të Sali Berishës në krye të politikës apo të qeverisë.
***
Arsyeja e fjetur gatuan çudira. Është bërë proverbiale një intervistë e televizionit “Albanian Screen” me një “demokrat” të varfër. Gazetari e pyet se për kë do votojë. “Demokrati” përgjigjet se do votojë për Berishën. Dhe shpjegon se Berisha është demokrati më i madh në botë, se do votojë për të që të mos vijë në pushtet “komunizmi”. Shton se është shumë i kënaqur nga qeverisja e kryeministrit Berisha. Por kur gazetarja e pyet se si është për nga gjendja ekonomike, demokrati përgjigjet: Pa punë, vetë i katërt pa punë dhe me 40 mijë lekë (të vjetra) përkrahje! “Demokrati” i gjorë nuk shikon asnjë lidhje mes gjendjes së tij të mjeruar dhe keqqeverisjes së kryeministrit! Sepse arsyeja e tij është në gjumë. Ai e do Sali Berishën tej së mirës dhe së keqes. E adhuron siç adhurohet Zoti. Kjo është forca e kultit, e idhullit të ngjizur nga mungesa e arsyes. Dhe si ai, ka dhe të tjerë. Me arsye të fjetur janë gërdecarët, që votuan Berishën edhe pasi korrupsioni i qeverisë së tij jua hodhi fshatin në erë. E tillë është edhe “arsyeja” e atyre shkodranëve që e kanë votuar pa pra Berishën, edhe pse ka disa dimra që me paaftësinë e menaxhimit të digave, po i përmbyt me toka, të mbjella e shtëpi. Prandaj nuk e kuptojnë kush ju fut ujin nën rrogoz. Ndaj bashkë me kryeministrin, fajësojnë Drinin, ngrohjen globale, shiun, Zotin. Por kurrsesi qeverinë, kurrsesi Berishën! Si mund të presësh që ata të kuptojnë të këqijat e tërthorta që autokrati përgatit në prapaskenë për demokracinë, lirinë dhe jetët e tyre? Si mund ta kuptojnë ata se ndryshimi i Kushtetutës për të fuqizuar kryeministrin në kurriz të pavarësisë së institucioneve (që janë shpikur për t’i mbrojtur ata, pronat, jetët nga qeveritë), është një krim edhe më i tmerrshëm sepse përmbyt lirinë e tyre, digën që i mbron përballë vërshimit të epsheve të një kulti dhe pushteti gjithnjë e më të papërballueshëm? Dhe janë pikërisht këta shqiptarë, që pa e kuptuar as vetë, bëhen pjesë e së keqes banale, themeli dhe betoni i diktaturave, i unitetit të “popullit” rreth liderit ku thyejnë kokat të gjithë armiqtë e liderit dhe partisë që në fakt, shpallen “armiq të popullit” sepse duan lirinë e popullit.
***
Pas 23 vjetësh ka ardhur koha për zgjim! Drita që vjen andej nga perëndon, duket sikur do zgjojë arsyen e fjetur të jo pak shqiptarëve, arsyen e instrumentalizuar nga kulti përbindësh që ata vetë e kanë krijuar në dekadat e letargjisë post-komuniste. Duket se po agon. E megjithatë ne themi bashkë me rojën e Hamletit: Por akoma natë është!
Top Channel