Artan MULLAJ – Zoti Volfarth! Pas dorëheqjes së anëtarëve të KQZ-së, si reagim ndaj ndërhyrjes së shtetit në një institucion të pavarur, ju thatë se KQZ-ja sigurisht mund të operojë edhe me anëtarët e propozuar nga mazhoranca, por do të ishte e preferueshme që të funksionojë me të gjithë anëtarët. Pastaj bëtë një krahasim me futbollin: “Nëse një skuadër humbet një lojtar, s’prish punë, loja vazhdon”.
Personalisht unë, por besoj edhe të tjerë, jemi shumë kuriozë të dimë zoti diplomat i OSBE-së, se sa i sinqertë jeni në këtë deklaratë. Mua të paktën më përvëlon dëshira të di si ndiheni dhe ç’mendoni ju vetë sinqerisht për të. Ju duket një gjetje brilante, një krahasim “eskilian”, apo thellë brendësisë suaj, e dini, e ndieni, e besoni, si e ndiej edhe unë, po edhe me siguri besojnë shumë të tjerë, që deklarata juaj është konfirmim i një kompromisi të hapur me partinë në pushtet. Realisht ajo të mban frymën! Të jesh një diplomat europian në krye të një institucioni, në një vend, qenia e të cilit është e një rëndësie kapitale, dhe të katandisesh në një lajthitje të tillë, ngre në perceptimin e njerëzve njëherësh dy dilema. Ose ju zoti Volfarth jeni një zyrtar i korruptuar në atë farë feje nga Berisha, saqë s’e keni për gjë të shkelni autoritetin dhe misionin tuaj, duke dalë thuajse hapur e brutalisht në krah të një regjimi që po shkatërron demokracinë në Shqipëri, ose, (do Zoti të jetë kështu), ju jeni viktimë e naivitetit tuaj.
Mund t’ju ketë rënë në sy zoti ambasador i OSBE-së, se në blogjet shqiptare ka pasur një furi reagimesh me komente lexuesish pas krahasimit tuaj të KQZ-së me një ndeshje futbolli. Ju etiketoheni e fyheni në to me një shkulm kënaqësish perverse lexuesish të panjohur. Në fakt nuk është hera e parë që ndodh kjo. Edhe më parë ju keni “fituar” perceptimin e shqiptarëve kundër vetes në këtë farë xhenemeje, ndërkohë që jeni prononcuar, hapur ose jo, në mbështetje të pushtetit. Madje, fakti që jeni shtetas gjerman, dhe fakti se shqiptarët janë mësuar të shohin te gjermanët simbolin e disiplinës, vullnetit, korrektësisë dhe ndershmërisë, e ka shtyrë emrin tuaj përkundër, në sens tjetër, drejt një perceptimi që askush, as ju vetë, ndoshta s’do t’ia uronit kurrkujt. Nuk është vështirë të kuptohet se perceptimi publik është që ju zoti Volfarth i shërbeni anësisht pushtetit të Berishës.
I kritikuar nga masa opozitare në Shqipëri, e keni menduar ndonjëherë përse ky vorbullim opsionesh gjeneron mllef, nganjëherë edhe urrejtje ndaj jush zotëri? Mund të jeni naiv, por jo aq sa të mos e kuptoni këtë gjë, përçmimin kolektiv të qytetarëve shqiptarë ndaj anësisë suaj.
Unë ju informoj sot mediatikisht pikërisht për këtë gjë. Operoni në një publik që ju supozon masivisht si një mbështetës të Kryeministrit të vendit. Njerëzit ju kanë parë në llogoren e tij, maskuar me pelerinë, si kalorësit e dashuruar te filmi “Shigjeta e zezë”. Ka qenë e kotë të fshiheni! Madje ju nuk fshiheni! Bëni sikur. Në fakt sot ju shfaqeni hapur në tribuna me një egoizëm të vrazhdë nëpunësi europian, që mbështet një kryetar qeverie, i cili shkel hapur ligjet e këtij vendi. Flisni kaq hapur nga llogorja e tij, sa duket sikur jo fshehja, maskimi, por rënia në sy e anësisë suaj në favor të pushtetit të tij është qëllimi juaj. E bëni këtë gjë me një krenari që shkon përtej të qenët legjitime. Kjo krenari deklaratash që favorizojnë qeverinë, e shfaqur kështu në fillim fshehur e tani hapur, është gati poshtëruese për ne.
Edhe pse personazh europian i dorës së dytë, jo për shkak të lartësisë së paqartë të detyrës, por për shkak të paqartësisë së shërbimit që ju i keni afruar Shqipërisë, ju jeni vetëshpallur thuajse në çdo situatë, si i tillë. Me kohë dolët hapur! Nuk ju nevojitej më “pelerina” diplomatike për ta fshehur këtë gjë. Tani edhe “qengjat e Lulit”, që i shpëtuan kurbanit të pavarësisë, e dinë këtë gjë. Sa shpesh duke heshtur, aq shpesh duke folur, si çdo diplomat që përdor kurthet diplomatike për të zhvilluar paqartësinë e qëllimeve reale, do të duhej së paku të krijonit një mjegull institucionale për të zbehur anësinë, por jo. Nuk jeni kujdesur ta bëni këtë gjë. Prodhuat kështu një surprizë për të gjithë. Zgjodhët të shfaqeni hapur në një pozicion metaforik diplomati që nuk shqetësohet shumë se çfarë mendojnë për deklaratat e tij njerëzit e një vendi ku ai është ngarkuar t’u përmirësojë zgjedhjet dhe demokracinë.
Shoqëria civile, analistët, të varurit dhe të pavarurit, kanë fokusuar edhe ata në vëmendjen e tyre pandershmërinë institucionale që përfaqësoni ju me mbështetjen hapur të regjimit të Berishës. Nuk kanë faj zotëri. Deklarata juaj e fundit, ku krahasoni KQZ-në me një skuadër futbolli, nuk është vetëm e papërgjegjshme. Është mjaft shqetësuese, sepse paralajmëron një lloj papërgjegjshmërie të shtirur, që provokon enkas inteligjencën e kulturës sonë. Zgjedhjet e radhës, ndershmëria dhe liria e tyre, janë pulsimi i fundit i shpresës që ky vend do të mund të hyjë në normalitet ndonjëherë. Janë si fija e fundit e palagur ende në shkrepësen me të cilën presim të ndezim zjarrin që do të ngrohë shqiptarët pas acarit të tranzicionit të mallkuar të Sali Berishës. Dhe të shpërdorosh këtë ndjeshmëri kolektive me një brutalitet të tillë, është poshtëruese. Të krahasosh rëndom KQZ-në me një skuadër futbolli, dhe anëtarët e dorëhequr të opozitës në këtë komision, me lojtarë që dalin nga loja, është si të përçmosh realitetin ku ke detyrë të mbikëqyrësh, por nuk ke të drejtë të urresh. Çfarë thoni ju zoti ambasador? “Ikën skuadra, ok, vazhdoni e luani vetëm, pushtetarë, fusha është e juaja, trajneri juaj do të jetë edhe gjyqtari në ndeshjen me veten tuaj, prej së cilës fitoni prapë ju 3 pikë të bekuara pushteti”. Harroni se ikja e opozitës nga komisioni nuk është si dalja e 2-3 lojtarëve nga fusha, pas të cilëve loja edhe mund të vazhdojë, por është si të ikë nusja nga ceremonia e dasmës. Nuk e di gjetkë, por në Shqipëri, po iku nusja, dasmë nuk ka. Skuadër nuk ka. Zgjedhje nuk ka. Zoti Volfarth, ju keni nevojë të kuptoni se fati i shqiptarëve në këto zgjedhje nuk është lojë, as qejf tifozësh në stadium, që përtypin fara luledielli! Fati ynë zoti Volfarth nuk është as objekt zbavitjeje, e llojit të fundjavave me birra dhe me miq të mirë!
Marre nga e perditshmja “SHQIP”
Top Channel