Serbët e veriut të Kosovës ndihen të zhgënjyer dhe të tradhtuar nga qeveria e Serbisë, për faktin se nënshkrimi i marrëveshjes me qeverinë e Kosovës, më 19 prill në Bruksel, nënkupton sipas tyre kapitullimin e Serbisë përballë presionit ndërkombëtar dhe “braktisjen” e veriut prej Beogradit zyrtar.
Marko Jaksiç, lider i serbëve të veriut, i pyetur nga “Radio Europa e Lirë” tha se me arritjen e kësaj marrëveshjeje, autoritetet e Beogradit e kanë shembur Kushtetutën e Serbisë, ndërkohë që autoritetet e Prishtinës e kanë respektuar atë të Republikës së Kosovës.
Sipas tij, rezistenca e serbëve të veriut, fillimisht do të orientohet ndaj Beogradit zyrtar.
“Kjo marrëveshje e shemb Kushtetutën zyrtare të shtetit të Serbisë dhe ajo që mund të konstatoj është se Hashim Thaçi i është përmbajtur kushtetutës së tij. Fatkeqësisht, Kushtetutës së Serbisë nuk i janë përmbajtur as Vuçiç e as Daçiç. Për këtë arsye, ne do të luftojmë që të respektohet Kushtetuta zyrtare e shtetit të Serbisë. Dëshiroj të them se ne do të luftojmë që t’i mbajmë institucionet tona dhe nuk do t’ia lejojmë, para së gjithash Beogradin, që në mënyrë drastike t’i shkelë dhe të heqë dorë nga këto institucione”, tha Jaksiç.
Lideri tjetër i serbëve të veriut, Radenko Nedelkovic, në prononcimin dhënë Rel, thotë se serbët edhe më parë e kanë shprehur vullnetin e tyre se nuk dëshirojnë integrimin në institucionet e Kosovës dhe se dëshirojnë të mbeten qytetarë të Serbisë.
“Ka mjaft mënyra që qytetarët ta pengojnë integrimin. Ne angazhohemi për një rezistencë në mënyrë të qetë dhe demokratike. Ndryshe, do të shohim se çfarë do të ndodhë në periudhën e ardhshme, por asgjë nuk do të ndodhë në terren, e që do të jetë në kundërshtim me vullnetin e popullit. Për ditën e hënë është caktuar Kuvendi popullor serb, në sheshin “Shumadija”, ku dëshirojmë t’ua sqarojmë qytetarëve se shteti i Serbisë ka kapitulluar gjatë bisedimeve dhe se është gjunjëzuar ndaj shantazheve, kushtëzimeve dhe kërcënimeve dhe se e ka pranuar atë që e ka kërkuar Prishtina”, shprehet Nedelkoviç.
Ai shton se do t’i ftojnë qytetarët serbë që me padëgjueshmëri dhe rezistencë pasive të tregojnë se nuk dëshirojnë integrim në institucionet e Kosovës.
Rezistencën e serbëve të veriut e paralajmëron edhe Jaksiç, duke thënë se ata do t’i përdorin të gjitha mjetet paqësore politike që marrëveshja të mos zbatohet.
“Mjete politike, për shembull, janë bojkotimi i zgjedhjeve lokale eventuale, të cilat autoritetet në Prishtinë kanë ndërmend t’i shpallin. Më pastaj, në qoftë se serbëve do të fillohet t’u kërkohen dokumentet e shtetit të Kosovës, me këtë do t’u pamundësohet liria e lëvizjes. Në këtë rast, konsideroj se serbët do të shfrytëzojnë të gjitha mjetet paqësore dhe politike të lejueshme, që nënkupton edhe bllokimin e rrugëve, nëse duhet, në mënyrë që t’i realizojnë qëllimet e veta politike”, deklaron Jaksiç.
Por, Nedelkoviç përjashton mundësinë që në çfarëdo rasti ose rrethane, rezistenca e serbëve të veriut të Kosovës ndaj zbatimit të marrëveshjes do të jetë e dhunshme.
“Ne nuk jemi për dhunë. Ne, thjesht, nuk kemi mundësi që të ballafaqohemi dhe të kundërshtohemi dhunshëm me të gjitha forcat e sigurisë. Ne jemi për mënyrat paqësore dhe gandiane dhe me këto mënyra të qeta dhe demokratike ta pengojmë integrimin”, thekson Nedelkoviç.
Liderët e serbëve të veriut theksojnë se rezistenca e serbëve ndaj marrëveshjes do të pasojë për faktin se, sipas tyre, ajo nuk i siguron as kushtet minimale për mbijetesën e serbëve në veriun e Kosovës.
Top Channel