Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës, pas arritjes së marrëveshjes me Serbinë, ka folur kryeministri i vendit, Hashim Thaçi.

Në atë, që konsiderohet si një raportim i gjithçkaje që ishte pranuar e më pas firmosur në Bruksel, së bashku me kryeministrin e Serbisë, Ivica Daçiç, kreu i qeverisë së Kosovës, Thaçi tha:

“Falënderoj rezolutën e PE, për heqjen e fusnotës për Kosovën. Pardje, Republika e Kosovës firmosi një marrëveshje me Serbinë për shtrirjen e sovranitetit, e cila i hap rrugë integrimit të vendit. Me këtë nënshkrim, Kosova ka vulosur njëherë e përgjithmonë shtetësinë dhe sovranitetin e saj. Marrëveshja e arritur në Bruksel është për të ardhmen dhe paqen në rajon”, u shpreh Thaçi.

Sa i përket analizës së pikave të marrëveshjes, Thaçi deklaroi para deputetëve të parlamentit të Kosovës: “Kushtetuta do të jetë në funksion në të gjithë vendin. Me këtë marrëveshje i japim fund strukturave paralele në veri. Nënshkruam një marrëveshje, më të mirën të mundshme për rrethanat e tanishme, pasi ajo nuk cënon ligjshmërinë në asnjë pikë të shtetit tonë”.

Më pas, kryeministri Thaçi ftoi qytetarët e pjesës veriore të Kosovës, “të mos frikësohen nga kjo marrëveshje me Serbinë”, pasi, sipas tij, ajo është garant për të gjitha të drejtat e tyre, si një minoritet i Republikës së Kosovës.

Sipas Thaçit, “procesi i normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë nuk ka përfunduar me këtë nënshkrim, por do të vazhdojë më tej, deri kur Serbia të njohë përfundimisht Kosovën, gjë që do të përbëjë edhe fundin e procesit”.

Kuvendi i Kosovës debaton sot në mbrëmje rreth paktit të arritur ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.
Ende nuk dihet nëse, në këtë seancë, do të merret vendim për ratifikimin e marrëveshjes 15 pikëshe, pasi në njoftimin zyrtar të Kuvendit, kjo seancë do të jetë vetëm Raport i kryeministrit të Republikës së Kosovës, për Marrëveshjen për Normalizim në mes të Republikës së Kosovës dhe Serbisë, e cila është përafruar më 19 prill ndërmjet dy kryeministrave.

Por, ajo që dihet është se, për t’u ratifikuar një marrëveshje ndërkombëtare, duhen 2/3 e votave të deputetëve, në këtë rast 80 të tilla. Deri më tani, mbështetje për paktin kanë dhënë subjektet opozitare, LDK dhe AAK, por është kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në këtë 15 pikësh parashikohet, që të formohet një Asociacion/Bashkësi i komunave me shumicë serbe, që do të krijohet përmes statutit, dhe do të shpërndahet vetëm përmes një vendimi të palëve pjesëmarrëse. Ky mekanizëm do të jetë në përputhje me kompetencat e dhëna nga Karta Europiane për Vetëqeverisje Lokale dhe Ligjin e Kosovës, thuhet në pikën 4, ndërsa në një pikë më parë thuhet se strukturat e tij do të themelohen mbi po të njëjtat baza, sikurse statuti ekzistues i Asociacionit të Komunave të Kosovës, psh: Kryetari, Zëvëndëskryetari, Asambleja, Këshilli.

Sa i përket Policisë së Kosovës, në pikën 7 të marrëveshjes thuhet se do të ketë një forcë policore në Kosovë, që quhet Policia e Kosovës, dhe se të gjithë policët në veri të Kosovës do të jenë të integruar brenda kornizës së Policisë së Kosovës, e cila do të jetë e vetmja, që do të japë pagat.

Kurse, sa i përket anëtarëve të strukturave serbe të sigurimit, pika 8 e marrëveshjes ka parashikuar që atyre “do t’iu ofrohet nga një vend në strukturat ekuivalente kosovare”.

Gjithnjë sipas marrëveshjes së publikuar, do të ketë një Komandant rajonal të Policisë për katër komunat me shumicë serbe, si Mitrovica e veriut, Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi. Ai do të jetë një serb i Kosovës, i emëruar nga Ministria e Brendshme.

Në lidhje me funksionimin e autoriteteve gjyqësore në këtë pjesë të Kosovës, sipas marrëveshjes ato do të jenë të integruara dhe do të operojnë brenda kornizës ligjore të Kosovës, dhe se Gjykata e Apelit në Prishtinë do të krijojë një panel, shumica e gjykatësve të të cilit do të jenë serbë të Kosovës, për t’u marrë me të gjitha komunat me shumicë serbe në Kosovë.

Përveç këtyre zotimeve, palët janë pajtuar te mos bllokojnë njëra-tjetrën, por përkundrazi të inkurajojnë progresin në rrugëtimin drejt BE-së.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA