11-metërshi i shëndërruar në gol nga shkodrani Gilman Lika i ka dhënë fitoren 1-0 Tiranës përballë Vllaznisë, 3 pikë këto që ngjisin bardheblutë në vendin e 5-të me 38 pikë dhe i mbajnë ata në lojë për një vend në kupat e Europës.
Ndërkohë, dy finalistët e kupës, Bylis dhe Laçi e kanë mbyllur me humbje javën e 23-të. Ballshiotët e Shensoj janë mundur 1-2 nga Shkumbini që vazhdon të luajë për të siguruar qëndrimin në Superligë.
Edhe pse shënuan të parët me Bakiun, ballshiotët u dorëzuan në të dytën, pasi peqinasit shënuan 2 gola me Dervishin dhe Llucën. Tashmë skuadra e Miles, përveçse duhet të fitojë të gjitha ndeshjet e mbetura, duhet edhe të shpresojë në ndonjë gabim të rivalëve të saj për të qenë pjesë e Superligës edhe sezonin e ardhshëm.
Ndërkohë, Tomori mundi 2-0 Laçin, një fitore që nuk i shërben aspak beratasve, të cilët vitin tjetër do të zbresin në kategorinë e parë. Golat për skuadrën e Madrid Muxhajit u shënuan nga Arbri dhe Sulejmani.
Top Channel