Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në një konferencë për shtyp të mbajtur të shtunën e ka vlerësuar si zgjidhjen më të mirë marrëveshjen e nënshkruar një ditë më parë me Serbinë në Bruksel.

“S’ka arsye për të pasur frikë nga marrëveshja me Serbinë. Me këtë marrëveshje Kosova ka hyrë në epokën e normalitetit dhe së ardhmes evropiane. Marrëveshja është për paqen, zhvillimin dhe sigurinë”, ka deklaruar Thaçi.

Duke nënvizuar se NATO do të jetë garant për zbatimin e marrëveshjes në fjalë në terren, kryeministri ka theksuar se ajo parashikon edhe shpërbërjen e strukturave paralele në veri të Kosovës.

“Është marrëveshja e parë në këto nivele me Serbinë dhe zgjidhja më e mira. Marrëveshja është në të mirë të Kosovës dhe serbëve të veriut. Në bazë të saj do të hiqen strukturat paralele në veri”, ka thënë Thaçi, i cili ka paralajmëruar mbajtjen të dielën të një seance të jashtëzakonshme në Kuvendin e Kosovës.

Ndërkohë, duke iu përgjigjur interesit të gazetarëve, shefi i ekzekutivit kosovar ka përsëritur se marrëveshja është në interes të Kosovës dhe ka theksuar se ajo u nënshkrua mes dy shteteve.

“Negociatat nuk kanë qenë të lehta. As Rambujeja, as Vjena dhe as Brukseli, por janë arritur marrëveshje. Është një marrëveshje ndërshtetërore. Serbia u ul në bisedime dhe pranoi të nënshkruante marrëveshje me shtetin e Kosovës”, ka thënë Thaçi.

“Unë e kam nënshkruar marrëveshjen si kryeministër i Republikës së Kosovës dhe Daçiç si kryeministër i Republikës së Serbisë. Të hënën duhet t’i dërgoj përgjigjen baroneshës Ashton dhe është në interes të vendit të tregohemi korrekt”, ka vijuar ai.

Më tej kryeministri i Kosovës ka bërë një sërë falenderimesh për faktorin ndërkombëtar, konkretisht për rolin e luajtur prej tij në këtë proçes të rëndësishëm dialogu.

“Falenderoj sekretarin e Shtetit, John Kerry, baroneshën Catherine Ashton dhe gjithë vendet evropiane që kanë mbështetur zonjën Ashton dhe dialogun, përfshirë ato të pesta që s’e kanë njohur pavarësinë”, është shprehur Thaçi.

Ai ka shtuar se gjatë ditës së sotme është takuar me liderët politikë të vendit që e kanë mbështetur këtë marrëveshje dhe sipas tij, mes tyre ka vullnet për të ecur përpara.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA