Serbisë i ka mbetur që të hënën t’i kthejë një përgjigje formale Brukselit për marrëveshjen me Kosovën. Në një mbledhje të qeverisë pritet të diskutohet pakti i arritur, ndërsa një mendim të veçantë do ta japin partitë qeveritare.
Ndërkohë, kryeministri serb, Ivica Daçiç ka theksuar se kjo është marrëveshja më e mirë që mund të kishte arritur Serbia deri më tani, por edhe pse është nënshkruar, Serbia nuk e ka njohur Kosovën.
Kryeministri Daçiç ka thënë për mediat se pret që të respektohet ky hap dhe të ndikojë në mirëqënien e qytetarëve, zhvillimin ekonomik dhe në standardin e vendit.
“Për herë të parë bashkësia ndërkombëtare ka qenë në anën tonë, e kjo do të duhej të hapte një epokë të re të Serbisë drejt Perëndimit“, ka thënë Daçiç duke shtuar se, “për popullin është me rëndësi të dijë se cila polici e arreston, kush e akuzon dhe kush e gjykon”.
Edhe presidenti Tomisllav Nikoliç e ka vlerësuar marrëveshjen, duke theksuar se, në këtë mënyrë Serbia ka arritur të garantojë mbrojtjen e bashkësisë serbe në Kosovë, gjë që deri më sot ka qenë e pamundur.
“Për serbët në Kosovë janë siguruar të drejat për të menaxhuar jetën e tyre, mbrojtjen, të ardhmen, burimet, arsimin, shëndetësinë dhe lidhja pa asnjë papengesë dhe kurrëfarë kufizimesh me vendin amë”, ka thënë Nikoliç.
Ai ka përsëritur se marrëveshja nuk do të thotë njohjen e Kosovës nga Serbia, gjë e cila sipas tij do të jetë gjithmonë e papranueshme.
“Serbia kurrë nuk do ta pranojë shtetin e pavarur të Kosovës. Serbia këtë territor, sipas Kushtetutës dhe rezolutës 1244, e trajton si një territor i cili ka autonomi thelbësore dhe për këtë ne do të sjellim një ligj kushtetues”, ka shtuar presidenti serb.
Edhe partitë opozitare kanë vlerësuar si pozitive nënshkrimin e marrëveshjes, përveç atyre nacionaliste.
Top Channel