Autoritetet kosovare sigurojnë se do ta ndalojnë destabilizimin e veriut në rast se serbët e atjeshëm shkaktojnë trazira në kundërshtim të marrëveshjes së arritur në Bruksel.

Ministri i Brendshëm, Bajram Rexhepi ka deklaruar se nuk pritet një gjë e tillë, por për çdo rast njësit speciale operative dhe njësitë e tjera gjithnjë janë në nivel gatishmërie.

“Nëse vlerësohet se potencialisht mund të ketë ndonjë destabilizim, atëherë vazhdimisht trupat janë në gjendje gatishmërie”, ka thënë Rexhepi për agjencinë “Kosovapress”.

Ndërkohë, në shenjë proteste ndaj marrëveshjes, strukturat paralele serbe kanë vendosur mbrëmë rreth orës 22:00 një barrikadë me zhavorr në rrugën magjistrale Mitrovicë-Leposaviç, konkretisht tek kthesa për në fshatrat shqiptare të komunës.

“Kosovapress” njofton se kjo barrikadë ka bllokuar banorët e këtyre fshatrave, por edhe qarkullimin e automjeteve në drejtim të pikës kufitare të Jarinjës.

Vendosjen e barrikadës në magjistralen e Ibrit e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i policisë në Mitrovicë, Besim Hoti. Pritet që serbët e veriut të zhvillojnë edhe një protestë të hënën në veri të Mitrovicës.

Serbët e veriut: Nuk e pranojmë marrëveshjen

Pak orë para arritjes së marrëveshjes të premten në Bruksel, përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës deklaruan se nuk do ta pranojnë dhe zbatojnë atë.

Sipas “REL”, në një takim që mbajtën në Zveçan, ata theksuan se nuk do t’i pranojnë institucionet e Republikës së Kosovës dhe se janë të vendosur të mbeten në përbërjen e Serbisë.

Kryetarja ilegale e Kuvendit paralel të veriut të Mitrovicës, Ksenija Bozhoviç tha se, përfaqësuesit serbë të katër komunave të veriut të Kosovës, përkatësisht Zveçanit, Zubin Potokut, Leposaviçit dhe Mitrovicës së veriut, “kanë rënë dakord se askush nuk ka të drejtë të nënshkruajë marrëveshje që cenojnë territorin e Serbisë”.

“Populli serb dhe qytetarët e Republikës së Serbisë janë bartësit e vetëm të sovranitetit dhe askush nuk ka të drejtë që, në kundërshtim me vullnetin e tyre, të nënshkruajë marrëveshje dhe akte të tjera për vendosjen e pushtetit të shtetit të papranuar, Republikës së Kosovës, në një pjesë të territorit të Serbisë”, tha Bozhoviç.

Edhe Kërstimir Pantiç, zëvendës i shefit të zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, theksoi se serbët e veriut nuk do të lejojnë që, qoftë nga qeveria e Beogradit, qoftë nga ajo e Kosovës, ose edhe nga bashkësia ndërkombëtare, t’ju imponohet çfarëdo qoftë që nuk është në përputhje me vullnetin e tyre.

Ai e porositi me tone kërcënuese kryeministrin serb, Ivica Daçiç, se serbët e veriut nuk do të marrin pjesë në zbatimin e marrëveshjeve me Prishtinën. “Le ta marrë Daçiç këtë marrëveshje nga Brukseli dhe le të vijë këtu që ta zbatojë së bashku me Hashim Thaçin”, tha Pantiç.

Porosi të ngjashme për autoritetet e Beogradit dërgoi edhe lideri tjetër i serbëve të veriut, Radenko Nedeljkoviç, i cili kërkoi nga delegacioni serb në Brukseli që të tërhiqej nga dialogu.

“Kthehuni prapa dhe dëgjoni zërin e popullit. Pavarësisht se çfarë do të bëni, ky popull nuk do ta pranojë. Ne nuk i duam institucionet e Kosovës dhe nuk e duam shtetin e Kosovës”, u shpreh Nedeljkoviç.

Top Channel