DASH fshikullon qeverinë

19/04/2013 00:00

“Korrupsioni i përhapur në të gjitha hallkat e qeverisë, dhe veçanërisht në sistemin juridik, mbetet një problem serioz në Shqipëri”.

Departamenti amerikan i Shtetit ka publikuar raportin për të drejtat e njeriut, për vitin 2012 në të gjitha vendet e botës, përfshi edhe Shqipërinë.

“Axhenda e reformave, veçanërisht lufta kundër korrupsionit, faktikisht ndaloi, pasi partitë politike e zhvendosën vëmendjen në zgjedhjet e përgjithshme të 2013. I korruptuar mbetet sistemi arsimor apo ai shëndetësor, ku mjekët kërkojnë parà për të garantuar atë që duhet të ishte një shërbim gratis për të gjithë.

Gjithashtu, në këtë pjesë, ku flitet për korrupsionin dhe mungesën e transparencës së qeverisë, përmendet edhe vendimi i debatueshëm i shfajësimit të ish-zëvendës kryeministrit Ilir Meta nga Gjykata e Lartë, më 16 janar, ku u përjashtua si fakt videokaseta, që e tregon atë të diskutojë për rryshfet.

Sa i takon korrupsionit në sistemin e drejtësisë, shumë gjykatës – thotë raporti – lëshojnë vendime, që duket se nuk kanë asnjë bazë në ligj apo fakte.

“Institucionet shtetërore thellësisht partiake, përfshi Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, minuan të drejtat e qytetarëve për të sfiduar drejtpërdrejtë ligjet dhe për të marrë pjesë plotësisht në qeverisjen e tyre. Konsolidimi i vazhdueshëm i pushtetit nga partia në pushtet, gjatë kësaj periudhe – shkruhet në raport – grryu edhe më tej besimin e publikut në pavarësinë e institucioneve të vendit”.

Sa i takon zgjedhjeve dhe pjesëmarrjes politike, raporti ndalet te parlamentarët e vitit 2009, që nuk përmbushën potencialin e vendit për të arritur standardet më të larta për zgjedhje demokratike.

Për zgjedhjet e majit 2011, raporti ndalet te vendimi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, për të përmbysur rezultatin fillestar për Bashkinë e Tiranës, i perceptuar gjerësisht si partiak dhe që minoi besimin në pavarësinë dhe paanshmërinë e tij.

Sa i takon partive politike, raporti përmend braktisjen apo ndryshimin e partisë së tyre, pa humbur vendin e tyre në parlament. Përmenden gjithashtu edhe ankesat e zyrtarëve të Aleancës Kuq e Zi, për sulmet fizike të policisë ndaj vullnetarëve të tyre, apo për mosdhënien e lejes nga zyrtarët e koalicionit qeverisës, për të zhvilluar protesta apo grumbullime të tjera publike.

Raporti nënvizon edhe gjyqin e Top Channel me ish-ministrin e Kulturës, Ylli Pango, ku thotë se në 18 qershor 2012, Gjykata e Tiranës gjobiti televizionin me 51 milionë lekë për transmetimin e kamerës së fshehtë, që çoi në dorëheqjen e ish-ministrit. Gjykata e Apelit e rrëzoi vendimin, ndërsa Gjykata e Lartë kërkoi kthimin e çështjes në shkallën e parë. Avokatët e Pangos apeluan vendimin – thekson raporti – dhe Gjykata e Lartë nuk është marrë me këtë çështje deri në fund të vitit të shkuar.

Raporti nënvizon edhe dhunën e ushtruar ndaj gazetarëve, ndërsa nënvizon me shqetësim mënjanimin dhe abuzimin e bashkësive rome dhe egjiptiano-ballkanike. Probleme domethënëse ishin edhe rrahja nga policia dhe keqtrajtime të tjera të të dyshuarve, gjatë ndalimit dhe marrjes në pyetje, hera-herës për t’u nxjerrë rrëfime.

Raporti thekson se probleme të tjera përfshijnë dhunën në familje dhe diskriminimin kundër gruas, abuzimin e fëmijëve, si dhe diskriminimin mbi bazë orientimi seksual dhe identiteti gjinor. Vazhduan të raportoheshin raste të trafikimit të personave.

Sa i takon 21 janarit, raporti i referohet gjykimit të tre të akuzuarve,  ish-komandatit të Gardës, Ndrea Prendi, shoferit të tij, Margarit Kume, dhe Armando Kasajt, që punonte në zyrën e informatikës në Kryeministri. Më 26 korrik – shkruan raporti – gjykata shpalli të pafajshëm Kasajn, ndërsa gjyqi ndaj të dyshuarve të tjerë vazhdoi më tej.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA