Parlamenti Europian miratoi rezolutat për Kosovën, Serbinë dhe Malin e
Zi. Pavarësisht fazave të ndryshme të integrimit të këtyre vendeve,
megjithë mbështetjen për avancimin e tyre drejt BE-së, eurodeputetët
kërkuan që Prishtina, Beogradi dhe Podgorica të fokusohen në luftën
kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në forcimin e shtetit
ligjor, në garantimin e pavarësisë së gjyqësorit dhe medias dhe në
mbrojtjen e të drejtave themelore.

Pritshmëritë nga dialogu Serbi-Kosovë ishin pjesë e debatit në seancën plenare në Strasburg.

“Dua të komentoj publikisht për përpjekjet në dialog të Ivica Daçiç dhe Hashim Thaçit. Çështjet që përfshihen janë komplekse dhe shumë të ndjeshme. Rezultatet nga dialogu janë në mënyrë kritike të rëndësishme për marrëdhëniet e BEsë me të dy, Kosovën e Serbinë”, thotë Stefan Fyle, komisioneri për Zgjerim.
 
Raportuesja për Kosovën arriti të sigurojë shumicën e votave për të rrëzuar footnote-n, e cila ishte miratuar “gabimisht” gjatë një votimi të mëparshëm në Komitetin e Punëve të Jashtme.

“Mungon ende mbështetja e plotë për pavarësinë e këtij vendi. Ende pesë vende anëtare nuk e njohin atë. Përsëri, në raportin tim, u bëj thirrje atyre që t’a bëjnë këtë gjë”, thotë raportuesja për Kosovën, Ulrike Lunacek.

Rezolutat e Parlamentit Europian janë qëndrime të këtij institucioni që luajnë një rol nxitës apo “këshillimor”, por nuk kanë fuqi mbi vendimet që marrin ministrat e vendeve anëtare, të cilët mblidhen javën e ardhshme në Luksemburg.
 
Pergatiti ARTA TOZAJ

Top Channel