Ka përfunduar pa gola ndeshja e parë gjysmëfinale për Kupën e Maqedonisë, mes dy rivalëve të vjetër, skuadrës tetovare Shkëndija dhe skuadrës së Vardarit nga Shkupi.
Vendasit, skuadra shqiptare nga Tetova, në ndeshjen e parë, që u zhvillua pasditen e së mërkurës, pati më tepër raste për të shënuar, por si duket fati ishte në anën e ekipit maqedonas nga Shkupi, i cili arriti që deri në fund të takimit ta ruajë portën të paprekur.
Kështu, Shkëndija, mundësinë për të arritur në finale për Kupën e Maqedonisë, do ta kërkojë pas dy javëve në fushën kundërshtare kundër Vardarit.
“Ndeshja është e hapur, edhe për takimin e dytë të kthimit, që do të luhet në Shkup. Do të jetë ndeshje interesante, shpresoj që së pari të jetë korrekte nga të dyja anët, shpresoj të ketë edhe tifozë në numër të madh nga të dy ekipet, që të duket me të vërtetë si një finale, jo një gjysmëfinale siç është”, tha Artim Shaqiri, trajner i ekipit tetovar, Shkëndija.
Nëse arrin të fitojë kundër Vardarit më 2 maj, Shkëndija do të takohet në finale me fituesin e ndeshjes tjetër gjysmëfinaliste, që do të zhvillohet mes Teteksit dhe Sileksit.
Këtë vit, Shkëndija është skuadra e vetme shqiptare, që ka mbetur në garë për Kupën e Maqedonisë. Kjo kupë është fituar vetëm një herë nga shqiptarët, pikërisht në vitin 2005, nga skuadra e Bashkimit.
Atë rezultat, këtë vit është në rrugë të mirë për ta përsëritur Shkëndija, e cila, së bashku me dy skuadra të tjera shqiptare nga Tetova, Renova dhe Drita, garojnë në ligën më të mirë të Maqedonisë, ku vite më parë është shpallur edhe kampion.
Top Channel