Fernando Alonso është i kënaqur me Ferrarin e këtij viti dhe mendon se ka në dispozicion një makinë të shpejtë, por jo më të shpejtën e Formulës 1. Sipas pilotit spanjoll, Red Bulli vazhdon të jetë ende skuderia për tu mundur.
“Ferrari ka ndryshuar shumë. Ishte e pamundur të kishim një makinë më të dobët se ajo e vitit të kaluar. Tani Ferrari paraqitet mirë në kualifikuese dhe në garë na lejon të shfrytëzojmë nisjen dhe strategjinë”, deklaroi Alonso.
“Gjithsesi, nuk kemi ende makinën më të shpejtë sepse mendoj që Red Bulli vazhdon të jetë më e shpejta. Edhe në Kinë treguan forcën e tyre, por nuk fituan sepse gabuan strategji në provat zyrtare”, shtoi spanjolli dy herë kampion bote.
Në lidhje me faktin se shumë ekspertë e shohin si favorit për të fituar titullin kampion, Alonso u shpreh: “Para garës së Kinës thonin se nuk mbaja presionin, nuk përshtatesha me gomat ose që ky do të ishte viti im i fundit në Formulën 1, ndërsa tani thonë që jam më i miri. Nuk ndikohem nga këto gjëra. Asnjë nga skuadrat nuk është në 100%. E rëndësishme është që të ngjitemi në podium në mënyrë të vazhdueshme. Vetëm kështu fitohet kampionati.”
Top Channel