Andrea Stefani – Kryeministri Berisha e ka pasur të pamundur të
respektojë mesazhin mbi rëndësinë që ka për zgjedhje të lira e të
ndershme mosprekja e institucionit të KQZ, dhënë nga Aleksandër Arvizu,
ambasadori i SHBA në Tiranë.
Pa kaluar pak orë nga ai mesazh, Berisha ka manipuluar një shumicë artificiale në Parlament për shkarkuar anëtarin e KQZ, Ilirian Muho, për ta zëvendësuar me një tjetër më të besueshëm për të. Incidenti është pasqyruar pa shumë vonesë deri edhe nga gazeta “ëashington Post” që ka komentuar se ai e vendos Shqipërinë në një kurs përplasjeje me komunitetin ndërkombëtar. Baronesha Ashton, që vizitoi dje Tiranën, shprehu shqetësimin për rrjedhojat e këtij akti në zgjedhjet e ardhshme, ndërkohë që lideri i opozitës, Edi Rama, revokoi, në një krahasim, vitin 1997 kur Berisha, përkundër këshillave të ndërkombëtarëve, u rizgjodh President në kulmin e një krize piramidash financiare të toleruar nga qeverisja e partisë së tij. Po kthehet prapa Shqipëria?
***
Shihet që Berisha nuk ka mësuar asgjë nga pësimet e së kaluarës. Me sa duket e ka të pamundur. Pseja e kësaj verbërie lyp një shpjegim: Kur në vitin 2005 Berisha përgatitej të vinte në pushtet, jo pak figura politike dhe të “shoqërisë civile”, përhapën legjendën se “ai kish ndryshuar”, se kish hequr dorë nga dëshira për pushtet absolut, se ishte i vetmi që “do luftonte korrupsionin”. Kohët treguan se këto ishin të gjitha mashtrime të propaganduara nga lakej që mezi prisnin të pasuroheshin nga korrupsioni i qeverive autokratike të Berishës. Sot shumë prej tyre janë pasuruar, ndërkohë që Berisha ka kapur të gjitha pushtetet dhe, me gjakimin e tij për një mandat të tretë, është bërë një rrezik serioz për projektin e demokracisë në Shqipëri. Berisha nuk mund të jetëgjatësohet në pushtet pa dhunuar e manipuluar zgjedhjet, sepse nuk ka një bilanc të pasur qeverisjeje. Papunësia, edhe me statistikat e trukuara nga institucione të kontrolluara prej tij, ruan po atë përqindje që kish edhe para 8 vjetësh. Pasuria është akumuluar në pak duar pranë pushtetit, ndërkohë që varfëria ka përfshirë në lakun e saj edhe më shumë shqiptarë. Dhe është pikërisht ky bilanc mjeran qeverisës që e shtyn pashmangësisht Berishën, pavarësisht këshillave të amerikanëve dhe europianëve për zgjedhje të lira e të ndershme, drejt kapjes së KQZ. Si autokrat, Berisha nuk është një qenie racionale, por një bishë politike që vepron me instinkte. Të shpresoje se ai nuk do të kapte KQZ-në, është njësoj si të shpresosh që ujku të mos çajë bagëtinë e lënë pa mbrojtje. Rrjedhimisht, përplasja e Berishës me ndërkombëtarët bëhet e pashmangshme. Sepse e tillë është edhe përplasja e këtij autokrati me demokracinë. Një përplasje që mund të shmanget vetëm nëse ndërkombëtarët do të hiqnin dorë nga mbështetja e projektit të demokracisë në Shqipëri në favor të një stabiliteti autokratik.
***
Shkarkimi i një anëtari të KQZ nxori më në evidencë jo vetëm nevojën e ethshme të Berishës për manipulimin e zgjedhjeve, por edhe erozionin e qëndrueshëm të mazhorancës në pushtet që, në fakt, nuk është më e tillë. Në vitin 2009, Berisha mundi të ripërtërijë një mandat të dytë, vetëm në sajë të një aleance të paprinciptë, të vendosur në minutë të fundit, me LSI. Me largimin e LSI ai ka mundur të shfaqet “shumicë” vetëm me disa vota deputetësh mercenarë që kanë bërë kalime të dyshimta (përflitet deri edhe blerje e tyre), nga opozita në kampin e pushtetit. Në një demokraci normale, asnjë Kryeministër normal nuk do pranonte të qëndronte në pushtet me vota të dezertuara nga kampi kundërshtar. Por për Berishën nuk ka vlerë asgjë përpara përjetësimit në pushtet. Pushteti është ekzistencial për Berishën prandaj për mbajtjen e tij, ai justifikon çdo mjet.
***
Jo rastësisht, shkarkimi i anëtarit të KQZ-së, Ilirian Muho, ka zbuluar edhe një herë anët më të errëta të pushtetit berishist që janë dredhitë, gënjeshtrat dhe mbi të gjitha, dhunimi i ligjit me një proceduralizëm antidemokratik të markës “allabylykbash”. Për të justifikuar kapjen e KQZ, Berisha përhapi legjendën e marrëveshjes politike për balancimin e këtij institucioni me përfaqësues të dy partive më të mëdha dhe aleatëve të tyre në Kuvend, marrëveshje që u dashka respektuar në kurriz të ligjit. Por pasi ndeshi rezistencën parimore të ndërkombëtarëve (dhe në radhë të parë të ambasadorit Arvizu)që këmbëngulën në mosprekjen e KQZ si një institucion i pavarur, Berisha dredhoi taktikë. Ai rrëmoi në dosjet(që i mban për të shantazhuar bashkëpunëtorë dhe kundërshtarë) dhe kërkoi shkarkimin e Muhos nga KQZ me pretekstin se vite më parë ka qenë i shkarkuar nga detyra si prokuror. Dhe është e vërtetë që në Kodin Zgjedhor ka një nen që nuk lejon emërimin në detyrën e anëtarit të KQZ të personave që kanë pësuar një masë të tillë administrative. Është e vërtetë se para shumë vitesh edhe Muho ka pësuar një masë të tillë. Por përsëri ushtrimi i tiranisë së shumicës nga pakica berishiste për shkarkimin e tij, është në kundërshtim me ligjin dhe të drejtën. Sepse ligji parashkruan një periudhë disavjeçare, jo vetëm për ndëshkimet administrative, por edhe për dënimet me burg, pas së cilës personi cilësohet si i rehabilituar. Dhe Muho e kish mbushur një periudhë të tillë dhe prandaj ishte i pastër në raport me ligjin. Ashtu sikundër u konsiderua i pastër nga Berisha, pra edhe i denjë për detyrën e kryetarit të KQZ, edhe Arben Ristani, që kishte qenë i dënuar me burg. Dhe është po ky zotëri ish i dënuar, që mban sot postin e zv/ministrit të Brendshëm të Berishës. Përse zbaton Kryeministri dy standarde? Është pabarazi para ligjit, poshtërsi, padrejtësi dhe shantazh që personat që i shërbejnë qëndrimit tënd në pushtet t’i mbrosh, t’i mburrësh, t’i shpërblesh e promovosh në poste edhe pse mund të jenë të akuzuar për krime të rënda (si në rastin e Arben Sefgjinit) ndërsa ata që nuk të shërbejnë, t’i shantazhosh, t’i shpifësh, t’i dhunosh në të drejtat e tyre të ligjshme.
***
Kapja e KQZ nga Berisha është një tjetër puç anti-institucional që dëshmon, përsëri dhe përsëri, se autokrati është i vendosur ta shesë pakicën e tij si shumicë duke manipuluar zgjedhjet. Prandaj dhe ndërkombëtarët janë aq të shqetësuar për sa ndodhi në natën e 15 prillit në Kuvend, si dhe për rrjedhojat që do pasojnë në procesin zgjedhor. Është shqetësimi edhe për integrimin e Shqipërisë që as mund të mendohet pa zgjedhje të lira e të ndershme më 23 qershor. Zgjedhjet e lira e të ndershme janë një nevojë akute për Shqipërinë. Prandaj përplasja e Berishës me ndërkombëtarët ka filluar. Është përplasja e pashmangshme e autokratizmit me demokracinë.
Top Channel