Mëngjesin e së mërkurës Policia e Kosovës, e ndihmuar nga ajo e EULEX-it, ka kryer një operacion të bastisjes në banesën e ish-shefit të Kabinetit të Ministrisë së Transportit dhe Post-Telekomunikacionit.
Kështu njofton zyra për informim e EULEX-it, e cila nuk bën të ditur emrin, por mësohet se bëhet fjalë për Endrit Shalën, i cili ka qenë shef i kabinetit gjatë kohës që ministria drejtohej nga Fatmir Limaj.
Siç bëhet e ditur, gjatë bastisjes policia ka konfiskuar një seri dokumentesh që do të kontrollohen me imtësi nga hetuesit, si dhe një armë automatike pa leje dhe një pistolete me leje.
Sipas EULEX-it, kjo bastisje është pjesë e hetimeve lidhur me akuzat për krim të organizuar, lidhje të kontratave të dëmshme, përvetësim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare dhe marrje të ryshfetit nga drejtuesit e Ministrise se Transporteve.
Veprimet në fjalë janë në kundërshtim me disa nene të Kodit Penal të Kosovës. Ndaj Shalës dhe ish-ministrit Fatmir Limaj ka filluar proçesi gjyqësor për rastin e Ministrisë së Transportit, për vepra korruptive.
Vetë Limaj kërkoi më herët gjatë muajit gjykim të shpejtë dhe të drejtë, duke e cilësuar aktakuzën e ngritur ndaj tij një “përrallë” dhe duke shfrytëzuar të drejtën për të deklaruar pafajësinë.
Top Channel