Barcelona ka vendosur që të shesë Alexis Sanchez dhe David Villa në merkaton e ardhshme verore, informoi të mërkurën gazeta sportive katalanase “Sport”.
Përsa i përket sulmuesit kilen, të blerë nga Udinese në vitin 2011 për 37 milionë euro, Barça është e zhgënjyer nga niveli i treguar në “Camp Nou”.
Sanchez nuk ka mundur asnjëherë që të jetë një titullar fiks në ekip dhe në këto kushte, ekipi “blaugrana” është gati të dëgjojë oferta për të.
Sipas “Sport”, Juventusi është i interesuari i parë, gati të ofrojë 25 milionë euro për futbollistin, por janë edhe disa klube të tjera italiane që po ndjekin më vëmendje situatën.
Përsa i përket David Villa, 31-vjeçar, mes dëmtimeve dhe zgjedhjeve teknike, sezoni aktual e ka parë shumë rrallë protagonist në fushë.
Ndonëse cilësitë e tij vazhdojnë të vlerësohen në “Camp Nou”, drejtuesit e Barcelonës janë të bindur që kanë marrë maksimumin prej ish-sulmuesit të Valencias dhe ai gjithashtu do të dalë në shitje.
Sipas “Sport”, Arsenali është i interesuari kryesor për të.
Top Channel