
Nënkryetari i PDK-së, Hajredin Kuçi ka deklaruar se nuk ekziston asnjë arsye që Kosova të shkojë në zgjedhje të parakohshme.
“S’ka ndonjë pozicion as nga ne, por as nga opozita për mbajtje të zgjedhjeve të parakohshme, sikurse nuk ka arsye që ato të mbahen”, ka deklaruar Kuçi.
Në një intervistë për gazetën “Epoka e Re”, numri dy i qeverisë Thaçi ka bërë me dije se PDK-ja do të respektojë çdo marrëveshje politike dhe legjitimitet demokratik që vjen nga qytetarët.
“Nëse partitë e tjera politike vendosin ndryshe, PDK-ja është e gatshme edhe për zgjedhje të parakohshme. Por prapë PDK-ja do të dalë partia e parë”, ka thënë Kuçi.
Në një rast të tillë ai nuk ka përjashtuar asnjë parti për koalicion, përfshirë lëvizjen Vetëvendosje, që njihet për qëndrimet kritike ndaj ekzekutivit kosovar.
“PDK-ja ka pasur qasje pozitive ndaj të gjitha subjekteve politike dhe nuk kemi vënë vija të kuqe për askënd. Në Kosovë është treguar se secili bën me secilin. Për PDK-në nuk ka subjekte politike refuzuese”, ka thënë Kuçi.
Por ai ka vlerësuar se nuk do të ishte pozitive për demokracinë në vend që partia e parë dhe e dyta të bëjnë koalicion qeverisës.
Më tej zëvendëskryeministri ka folur edhe për proçesin e dialogut me Serbinë, për të cilin ka thënë se janë duke pritur përgjigje nga baronesha Ashton.
Top Channel