Qeveria e Kosovës ka miratuar paraditen e së martës projekt/vendimin për
zgjedhjen e ofertës më të mirë për privatizimin e 75% të aksioneve të
PTK-së.

Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj ka thënë se proçesi i privatizimit të PTK-së është bërë me vendim të Kuvendit dhe konform këtij vendimi, ku më pas është themeluar Komisioni Qeveritar për Privatizimet.

Sipas së përditshmes “Express”, Beqaj ka thënë se punëtorët do të kenë kontrata 3-vjeçare pavarësisht privatizimit. Më pas, me shumicë votash është miratuar ky projekt/vendim.

Qeveria e Kosovës kishte pranuar dy oferta për privatizimin e 75 për qind të aksioneve të PTK-së. Në garë ishin kompania “M1 International” dhe “Axos GMBH”, në konsorcium me “Najafi Companies”. Por kjo e fundit ka bërë ofertën më të lartë prej 277 milionë eurosh.

Proçeset e privatizimeve në Kosovë janë shoqëruar me polemika të shumta, me parti të opozitës që kanë akuzuar qeverinë se ka favorizuar kompani të caktuara për interesa korruptive.

Një ditë më parë, kryeparlamentari Jakup Krasniqi, i cili është shfaqur shpesh herë kritik për mënyrën e privatizimit, deklaroi se duhet të rishikohen kontratat dhe sqaroi përse duhet të bëhet kjo.

“Ne kemi kaluar një proçes të privatizimit dhe konsideroj se duhet të rishikohen të gjitha kontratat e privatizimit për të krijuar bindjen se ato kontrata që janë lidhur janë në interes të privatizimit dhe zhvillimit të Kosovës”, tha Krasniqi.

Këtë deklaratë kryeparlamentari e bëri pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit, ku u vendos që gjatë kësaj jave të mbahet një debat parlamentar me kërkesë të Lidhjes Demokratike të Kosovës për ndërmarrjen Trepça.

Top Channel