Kina ka publikuar strukturën e njësive të saj ushtarake, një veprim ky
që sipas mediave lokale bëhet për herë të parë nga regjimi i vendit.
Ushtria ka një total prej 850 mijë oficerësh, ndërsa marina dhe forcat ajrore kanë një fuqi prej 235 mijë dhe 398 mijë, ka bërë të ditur Pekini zyrtar në një dokument.
Dokumenti në fjalë kritikon gjithashtu zgjerimin e pranisë së Shteteve të Bashkuara në Azinë e Paqësorit, duke vlerësuar se ka acaruar tensionet rajonale.
Ndërkohë, buxheti i sektorit të mbrojtjes në Kinë u rrit me 11.2 për qind në vitin 2012, duke kaluar shifrën e 100 miliardë dollarëve.
Dokumenti i mbrojtjes, i njohur ndryshe si karta e bardhë, thekson ndër të tjera “angazhimin e palëkundur të Kinës për të ndjekur rrugën e zhvillimeve paqësore”.
Gjithësesi, ai vë në dukje “kërcënimet e shumta dhe të komplikuara të sigurisë” me të cilat përballet Kina, “e cila duhet të mbrojë unifikimin e saj kombëtar, integritetin territorial dhe interesat e saj për zhvillimin”.
Dokumenti zbulon më tej detaje të strukturës ushtarake kineze. Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve “Xinhua”, kjo është hera e parë që informacione të tilla i prezantohen publikut.
Kështu, ushtria territoriale ka 18 njësi të kombinuara në shtatë zona ushtarake: Pekin, Nanxhing, Çengdu, Guangzhou, Shenyang, Lanzhou dhe Xhinan.
Forcat ajrore kanë 398 mijë oficerë dhe një seri komandash të vendosura në të njëjtat shtatë zona ushtarake, ndërsa komanda e marinës ka 235 mijë oficerë të vendosur në tre flota: në Beihai, Donghai dhe Nahnai.
Dokumenti i zbardhur përshkruan edhe forcën e artiljerisë së Kinës, që përmban raketa bërthamore dhe konvencionale.
“Forca ushtarake është thelbësore për dominimin strategjik të Kinës dhe parësore për pengimin e vendeve të tjera që të përdorin armë bërthamore kundër saj”, thotë më tej dokumenti.
Top Channel