Juventusit i mjaftojnë 30 minuta kundër Lacios

16/04/2013 02:45

Juventus mposht 2-0 Lazio-n dhe mbyll virtualisht cështjen për titullin kampion. Me fitoren e arritur në “Olimpico”, skuadra e Conte-s ngjitet në 11 pikë diferencë nga Napoli.

Me bardhekaltrit, ndeshja konsiderohet e arkivuar vetëm pas 30 minutash lojë, pasi në minutën e 8-të Cana pengon në zonën e rreptësisë Vucinic dhe Vidal shënon nga 11-metërshi. Ndërsa në minutën e 28-të, kiliani shënon pas një aksioni personal, duke shmangur edhe portierin Marchetti.

Lazio nuk arrin të reagojë, ndërsa Marchisio shpërdoron një mundësi të artë për të shënuar edhe golin e tretë.

Skuadra e Conte-s, ndryshe nga dy ndeshjet e debatueshme në Champions, u duk se kishte mësuar shumë nga leksionet e Bayern-it dhe shfaqet me tepër grintë në transfertën e vështirë të Romës, duke shfaqur përqendrim dhe duke mbyllur gjithcka brenda pak minutave.

“Fitorja në ‘Olimpico’ është shumë e rëndësishme dhe na bën të hedhim një tjetër hap të sigurt drejt titullit”, kështu është shprehur Antonio Conte pas ndeshjes, pavarësisht se mbeten ende 7 pikë për të siguruar matematikisht titullin kampion në Serinë A.

“I vlerësoj maksimalisht këta djem, për të cilën jam gjithmonë krenar. Më kanë ndjekur gjithmonë, duke më lejuar të fitoj titullin gjatë sezonit të kaluar dhe duke më lëjuar t’i shkoj shumë pranë dopietës këtë sezon”, përfundoi Conte.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA