Helikopteri amerikan rrëzohet në veri të Seulit

16/04/2013 00:00

Një helikopter ushtarak amerikan është rrëzuar në afërsi të një baze në veri të Seulit, jo larg kufirit me Korenë e Veriut.

Lajmin e bën të ditur agjencia “Yonhap”, sipas të cilës për momentin nuk ka informacione për viktima dhe shkaqet janë ende të paqarta.

Helikopteri amerikan, i tipit “Black Hawk”, u rrëzua në kontenë Cheolwon, pranë kufirit qendror me Korenë e Veriut.

Rrethanat janë ende të paqarta, por mësohet se episodi është verifikuar gjatë manovrave të përbashkëta vjetore mes Seulit dhe Uashingtonit.

Sipas agjencisë së lajmeve “Yonhap”, në bord ndodheshin 12 persona, të cilët kanë arritur ta braktisin në kohën e duhur mjetin fluturues.

Stërvitjet e përbashkëta ushtarake amerikano-koreane zhvillohen në një moment kur kriza me Penianin ka arritur kulmin dhe janë parashikuar të përfundojnë më 30 prill.

Janë rreth 28.500 ushtarakë amerikanë të vendosur në bazën në fjalë. Cheolwon më parë ka qenë skenë e incidenteve kufitare.

Në vitin 1992, tre ushtarë koreano-veriorë, të veshur si ushtarë jugorë, mbetën të vrarë, ndërsa në vitin 1997, pesë ushtarë të tjerë nga Veriu kaluan zonën e çmilitarizuar dhe qëlluan ndaj pozicioneve ushtarake të Jugut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA