“Balkan Trafik” në Bruksel

16/04/2013 23:25

Grupi i Rock-ut “Jericho”, vokalistja Eda Zari, apo klarinetisti Thoma Loli, janë disa prej artistëve shqiptarë, të ftuar në edicionin e shtatë të festivalit ‘Balkan Trafik’, në Bruksel.

“Këtë vit, në programimin puro shqiptar kemi ftuar Thoma Lolin dhe Aleks Mickën, për këngët dhe klarinetën e dasmave të jugut të Shqipërisë. Do të bëhet festë e madhe dhe është një pjesë e diamantit kulturor shqiptar. Një tjetër aspekt i këtij guri të çmuar, që do ta vëmë në dukje në ‘Balkan Trafik’, është është Rock-u i ndezur i ‘Jericho’-s. Pra rinia, që kërkon të flasë për aspektet sociale apo për liberalizimin e vizave. ‘Jericho’-n e kishim ftuar që vjet dhe nuk mundën të vinin për shkak të vizave, por luftuam dhe do të jenë këtu këtë vit. Kemi dhe Eda Zarin, një tjetër aspekt i kulturës moderne, e cila vjen me zërin e saj Jazz, Blues, që niset nga baza tradicionale në një miks shumë novativ, që do ta kemi në skenën tonë”, tha Nicolas Wiewrs, krijues/drejtues i ‘Balkan Trafik’.

Prej shtatë vitesh, festivali ballkanik i Brukselit “trafikon” kulturën, muzikën dhe traditat e të gjitha vendeve të rajonit, duke sjellë kësaj here edhe tryezat për financimin e shkëmbimeve kulturore.

“Një tjetër risi tepër konkrete janë tryezat e rrumbullakta dhe punimet rreth aspekteve kulturore mes Ballkanit dhe Europës Perëndimore, për mjetet për të financuar kulturën, për shembull si në Shqipëri apo në Bruksel, për të gjetur bashkëpunimin mes vendeve”, tha Nicolas Wiewrs.

Edicioni i 7-të i “Balkan Trafik” çelet të mërkurën. Gjatë pesë ditëve, përveç koncerteve, valleve apo filmave, nga i gjithë rajoni, organizohen edhe debate mbi muzikën, kulturën, si dhe për çështjet sociale dhe politike në Ballkan.

Përgatiti: Ernest BUNGURI

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA