Situata e sigurisë në veri të Kosovës mbetet e paqëndrueshme. Kështu kanë vlerësuar të hënën në Komitetin e Sigurisë, përfaqësuesit e strukturave komunale dhe ata të sigurisë në Mitrovicë.
Po ashtu, gjatë këtij takimi u theksua se vazhdimi i inicidenteve të shpeshta në veri vjen me qëllimin për të mbajtur gjendjen të tensionuar.
Drejtori për Mbrojtje dhe Shpëtim, Behxhet Bala tha se java është karakterizuar me incidente. Lidhur me problemet aktuale që janë duke sfiduar rendin dhe sigurinë, ai theksoi se gjatë fundjavës janë parë në Rudare dhe në Zupç persona me uniformë duke bërë roje.
“Këta persona kanë vendosur kontejnerë dhe kanë bërë roje përgjatë 24 orëve”, deklaroi Bala. Ai kërkoi nga strukturat e rendit që të marrin masa dhe të mos lejojnë grupe të tilla që të marrin situatën në duart e tyre.
Bala tha se gjendjen e kanë rënduar edhe dezinformatat e mediave serbe për hyrjen e njësive elite të Policisë së Kosovës, ROSU, në veri.
Ndër ngjarjet e fundit kriminale të verifikuara në veri ka qenë sulmi i javës së kaluar ndaj shtëpisë së një çifti shqiptaro-serb në Istog, ndaj të cilës u hodh një sasi eksplozivi, që për fat të mirë nuk shkaktoi dëme në njerëz.
Top Channel