SHBA: Ndalni çdo lloj forme dhune

15/04/2013 00:00

Zv/sekretari amerikan i Shtetit, William Burns, gjatë takimeve me udhëheqësit egjipitianë, nënvizoi se “Shtetet e Bashkuara janë të angazhuara për një Egjipt demokratik, gjithpërfshirës dhe tolerant”.

Ai bisedoi në Kajro me presidentin Adli Mansur, me kryeministrin Hazem Al Beblaui, si dhe me kreun e forcave të armatosura, gjeneralin Abdel Fatah Al Sisi. Gjatë një konference për shtyp, ai tha se “në krye të përparësive duhet të jetë fundi i dhunës dhe hakmarrjes dhe nisja e një dialogu serioz, përmbajtësor, mes të gjithë palëve dhe partive politike”.

“Nëse përfaqësuesit e partive më të mëdha në Egjipt burgosen apo përjashtohen, si mund të jetë i mundur dialogu apo pjesëmarrja? Qeveria deklaroi se kërkon përfshirjen e të gjithë forcave politike. Ne i bëjmë thirrje ushtrisë të shmangë arrestimet e motivuara politikisht, si dhe atyre që kanë dallime me qeverinë të mbështeten te detyrimi i tyre për pjesëmarrje paqësore”, tha Burns.

“Vetëm egjiptianët mund të përcaktojnë të ardhmen e tyre. Nuk erdha me zgjidhje amerikane dhe as për të dhënë leksione. Ne e dimë, që egjiptianët duhet të farkëtojnë rrugën drejt demokracisë”, shtoi më tej ai.

Burns është zyrtari i parë amerikan, që vizitoi vendin prej 3 korrikut, kur ushtria rrëzoi nga pushteti Mohamed Mursin. Ai i përcaktoi zhvillimet e dy javëve të fundit në Egjipt “si një mundësi të dytë për të kuptuar premtimin e revolucionit”, që shënoi fundin e presidencës së gjatë dhe autoritare të Hosni Mubarakut, në vitin 2011.

Burns tha se, gjatë vizitës dy ditore, do të takohet me udhëheqësit fetarë, krerët e partive politike dhe biznesmenë. “Vllazëria Muslimane” deklaroi se nuk do të takohet me zv/Sekretarin amerikan të Shtetit apo me zyrtarë perëndimorë, deri sa të përmbushen katër kushtet e saj: kthimi i Mohamed Mursit në pushtet, kthimi i legjitimitetit kushtetues, kthimi i parlamentit, si dhe fundi i grushtit të përgjakshëm të shtetit, cilatdo qofshin pasojat.

Vllazëria Muslimane nuk ka pranuar t’i bashkohet qeverisë, që u betua të dielën. Po kështu, edhe partia “Salafi Al Nur”. Uashingtoni vazhdon të shqyrtojë rrëzimin e udhëheqësit islamik nga pushteti. SHBA kërkoi lirimin e tij.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA