Shefi i zyrës së qeverisë serbe për Kosovën, Aleksandar Vulin i ka cilësuar si “jo serioze” deklaratat e kryeministrit Hashim Thaçi kundër bisedimeve direkte me Serbinë.

“Përkundër qëndrimit negativ nga pala kosovare, Beogradi është pro dialogut me Prishtinën dhe dëshiron të gjejë një zgjidhje, pasi të dëgjohen me vëmendje argumentet e saj”, ka deklaruar Vulin.

Deklaratën e tij, Vulin e ka bërë në një intervistë televizive, në një program të transmetuar paraditen e së hënës në një stacion televiziv serb.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe zëvendëskryeministrja e Serbisë, Suzana Grubjeshiç e cila ka deklaruar se për Beogradin dhe Prishtinën ka ardhur koha për një kompromis që do të siguronte të ardhmen Serbisë dhe qytetarëve të saj.

“Serbia është plotësisht e orientuar për marrëveshje dhe për gjetjen e një zgjidhjeje të qëndrueshme për Kosovën. Është e nevojshme që menjëherë të vazhdojë dialogu me Prishtinën, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje, të zbatohet dhe të jetë e qëndrueshme”, ka deklaruar Grubjeshiç.

Ajo ka shtuar se, zgjidhja duhet të garantojë të drejtat e njeriut, qëndrimin dhe sigurinë e serbëve në Kosovë dhe të përbëjë një bazë të fortë për krijimin e paqes afatgjatë në rajon.

Një ditë më parë, kryeministri Thaçi deklaroi për mediat lokale se, negociata të tjera me Serbinë nuk do të ketë.

“Tani gjithçka do të varet nga angazhimi, përkushtimi dhe udhëheqja e baroneshës Ashton. Adresa për çdo përgjigje është në Bruksel. Të tjetra negociata nuk do të ketë, tjetër adresë nuk do të ketë dhe as dialog të drejtpërdrejtë nuk do të ketë”, deklaroi Thaçi.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA