Një prej futbollistëve të rinj më të talentuar të futbollit botëror, mesfushori Paul Pogba është vendosur në qendër të vëmendjes së Realit të Madridit për sezonin e ardhshëm.
Sipas televizionit “Cadena Ser”, presidenti i Realit, Florentino Perez, dërgoi këtë javë në Itali një avion privat me një të dërguar, i cili u takua personalisht me francezin në një hotel të Veronës.
19-vjeçari i është rekomanduar Realit nga qendërmbrojtësi Rafael Varane, i cili e ka njohur Pogbanë në skuadrat e moshave të Francës.
I ndjekur me vëmendje nga madrilenët, Pogba ka bindur drejtuesit e nëntë herë kampionëve të Europës, që po përgatisin një ofertë dyshifrore.
Sipas “Cadena Ser”, futbollisti do të ishte i gatshëm që të transferohej në “Santiago Bernabeu”, nëse të dy klubet arrijnë që të gjejnë më parë një marrëveshje paraprake.
Paul Pogba iu bashkua Juventusit në fillim të sezonit aktual, pasi bardhezinjtë shpenzuan 3,5 milionë euro për të blerë kartonin e tij nga Manchester United.
Top Channel