Moratti konfirmon Stramaccionin

15/04/2013 19:35

Pas një fillimi të mirë të sezonit, që bëri Interin të konsiderohej si pretendentja kryesore e Juventusit për titullin kampion, një fazë e dytë tepër e dobët i ka zbritur zikaltërit në vendin e shtatë, larg çdo perspektive europiane për sezonin e ardhshëm.

Megjithatë, pavarësisht se humbja e radhës në kampionat, ajo e fundjavës ndaj Cagliarit (2-0) ishte një goditje e re, presidenti i klubit, Massimo Moratti konfirmon trajnerin e tij Stramaccioni, duke qenë i vetëdijshëm për vështirësitë e shumta me të cilat përballet trajneri në punën e tij aktuale.

“Në këtë situatë, e vetmja gjë që mund të bëj është të mbështes Stramaccionin, duke parë edhe vështirësitë e shumta me të cilat jemi ndeshur në këtë sezon. Po bëjmë një kampionat të vështirë dhe deri diku dramatik, duke pasur parasysh dëmtimet. Shpresoj që deri në fund, Strama të jetë në gjendje të shpikë diçka. Duket e vështirë, por me pak fat dhe fantazi, diçka mund të arrijmë”, vlerësoi Moratti.

Me një kampionat ku Interi vazhdon të predentojë kualifikimin në Europë vetëm matematikisht, Kupa e Italisë merr një vlerë të shtuar. “Kupa mbetet tani objektivi i vetëm, pasi në kampionat ka pak për të arritur tashmë. Mendoj se ndaj Romës kemi shanset tona, kualifikimi në finale është i rëndësishëm. Jam i sigurt që Stramaccioni dhe futbollistët do të bëjnë më të mirën për t’ia dalë mbanë”.

Moratti pati një koment edhe për gjykimet, të cilat në ndeshjet e fundit, në shumë raste kanë diskriminuar skuadrën. “Mourinho më thonte shpesh: “Si ia bën të qëndrosh këtu, i ke të gjithë kundër”. Gjithmonë i thoja se e dija dhe se e bukura e drejtimit të Interit ishte pikërisht kjo vështirësi”.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA