Fitorja e Alonsos në Kinë, e para për Ferrarin dhe pilotin spanjoll në këtë sezon, ka ngrohur atmosferën tek skuadra italiane.
Në faqen zyrtare të “kokëkuqes”, në një mesazh të postuar ditën e hënë, presidenti Luca di Montezemolo përgëzoi të gjithë stafin për suksesin e arritur dhe kërkoi që të vazhdohet puna e mirë e nisur.
“E dimë që duhet të përmirësohemi ende më shumë, e dimë që do të jetë edhe një kampionat i gjatë e i vështirë, por edhe që do të jemi protagonistë. Duke vazhduar kështu, me edhe më shumë përkushtim e vendosmëri, do të arrijnë gëzime të tjera. Ju falenderoj të gjithëve”, tha Montezemolo.
Ndërkohë, javën e ardhshme, garat e Formulës 1 zhvendosen në Bahrein, një pistë me karakteristika të veçanta, ku një rëndësi të shtuar do të kenë gomat.
“Në sezonin e shkuar, Bahreini ishte një prej pak garve të reja për ne, edhe pse e njihnim pistën nga testimet. Për gomat, kjo do të jetë një prej pistave më të vështira të sezonit, sidomos për shkak të pistës abrazive dhe temperaturave të larta. Presim të ketë nga tre ndalesa për secilën makinë, edhe pse për të dhënë një parashikim më të detajuar, duhet të presim provat e lira të së premtes”.
Top Channel