Kriza koreane, në Veri mbahen festime

15/04/2013 16:10

Ceremoni masive festimi u organizuan ditën e hënë në Korenë e Veriut për të përkujtuar 101-vjetorin e lindjes së themeluesit të kombit, Kim Il-sung, ndërsa tensioni për programin e kërcënimin bërthamor të vendit komunist është i lartë.

Agjensia Zyrtare e Lajmeve “KCNA”, raportoi se lideri Kim Jong-un vizitoi gjatë ditës mauzoleumin gjigant të gjyshit dhe babait të tij Kim Jong-il në Penian.

Pas sanksioneve të OKB-së ndaj Koresë së Veriut për testimin e paautorizuar bërthamor të shkurtit dhe lëshimin e një sateliti me anë të një rakete me rreze të gjatë veprimi në dhjetor, situata ka arritur një pikë kritike tensioni, me vendin komunist që ka përgatitur raketat e tij dhe kërcënon me sulme bërthamore Korenë e Jugut, Japoninë dhe bazat amerikane në rajon.

Nga ana e tij, Uashingtoni ka përjashtuar mbajtjen e “bisedimeve artificiale” me Veriun, ndërsa Sekretari i Shtetit, John Kerry, ndodhet në një tur në disa vende aziatike, në një përpjekje për të ulur tensionet në rajon.

Sipas ekspertëve, festimet e së hënës ishin veçanërisht pompoze në Korenë e Veriut, që duket se po përpiqet të transmetojë një imazh qetësie, brenda dhe jashtë vendit, përballë kësaj situate të ndërlikuar ndërkombëtare.

Së fundmi, edhe aleati i vetëm i madh i Koresë së Veriut, Kina, ka braktisur Penianin, duke dënuar ashpër veprimet e fundit provokuese të Kim Jong-un e duke bërë një thirrje për tërheqje nga të gjitha provat e mëtejshme bërthamore.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA