Në Prishtinë hidhet poshtë ideja e zyrtarëve serbë se Serbia duhet të negociojë me Kosovën edhe pa ndërmjetës.
Madje, kryeparlamentari i Kosovës, Jakup Krasniqi, gjatë së hënës ka dhënë një përgjigje të veçantë për këtë ide. “Unë së pari mendoj se palët nuk po arrijnë të merren vesh me ndërmjetës, e lëre më pa të”, ka deklaruar Krasniqi.
Pothuajse të njëjtin mendim kanë shfaqur edhe subjektet politike parlamentare mbështetëse të dialogut, ndërsa një ditë më herët vetë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi u shpreh se dialog të drejtpërdrejt nuk do të ketë.
Një ditë para se Komisioni Europian të publikojë raportin për Kosovën, kryeparlamentari Krasniqi ka thënë se është duke e pritur raportin për të shfaqur qëndrimin, ndërsa ka shtuar se Bashkimi Europian duhet ta vlerësojë bashkëpunimin që Kosova ka pasur në dialogun me Serbinë.
Në këtë kontekst, përfaqësues të partive parlamentare në Kosovë kanë shfaqur pritjet e tyre në prag të publikimit të raportit.
“Ne jemi shumë të sigurt që raporti i nesërm do të jetë shumë pozitiv, do të jetë edhe një hap para drejt synimeve tona dhe jam shumë i sigurt se Bashkimi Evropian nuk do t’i lejojë vetvetes që të dëmtojë Kosovën, një partner të vetin shumë korrekt e parimor”, ka deklaruar Adem Grabovci, kryetar i grupit të PDK-së.
“Për këtë Kosva duhet të ketë një trajtim dhe konsideratë të veçantë se si ka qenë bashkëpunuese, por problem është se kjo po ndërlidhet edhe me probleme të tjera që ka Kosova”, ka thënë nga ana tjetër Ismet Beqiri nga LDK.
“Mendoj se populli i Kosovës duhet të shpërblehet, jo qeveria, jo politika. Mendoj se politika në Kosovë, si qeveria ashtu edhe opozita, duhet të kërkojë që Kosova të arrijë Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit sa më shpejt që të jetë e mundur dhe të arrijë te momenti kur qytetarët e Kosovës do të lëvizin pa viza”, ka thënë më tej Ardian Gjini nga AAK.
Këto komente u bënë pas mbledhjes së Kryesisë së Kuvendit me Kryetarët e grupeve parlamentare ku është caktuar seanca plenare për këtë javë.
Top Channel