Berlusconi premton rikthimin

15/04/2013 00:00

Ish-kryeministri i Italisë, Silvio Berluskoni, deklaroi se do të kandidojë për një mandat të pestë nëse në Itali do të vendoset për zhvillimin e zgjedhjeve, pasi udhëheqësi i qendrës së majtë, Pierluixhi Bersani, kundërshtoi sërish formimin e një koalicioni qeverisës me rivalin e tij.

Gjatë një mitingu në Bari, Berluskoni foli për udhëkryqin në të cilin ndodhet vendi: “Ose do të ketë një qeveri të menjëhershme në Itali, të fortë dhe të qëndrueshme, ose përndryshe italianët duhet t’i kthehen kutive të votimit dhe do të votojnë në qershor. Jemi gati për një votim tjetër dhe do të jem aty.”

Sipas sondazhit të ISPO, të publikuar të shtunën në gazetën ‘Corriere della Sera’, nëse do të zhvilloheshin zgjedhje, Berluskoni do të fitonte me një diferencë të vogël duke përmbysur kësisoj rezultatet e shkurtit që treguan fitoren e partisë së Bersanit në Dhomën e Ulët, por jo në Senat.

Më 18 prill, parlamenti italian do të votojë për presidentin e ri. Zgjedhja e kreut të shtetit do të jetë shumë e rëndësishme sepse Kushtetuta e ndalon presidentin aktual, Xhorxho Napolitano, të shpërndajë parlamentin në fund të mandatit të tij. Kësisoj pasuesit të Napolitanos që do të sigurojë një mandat 7-vjeçar, do t’i duhet të gjejë zgjidhjen që do t’i hapë rrugën formimin e qeverisë së re ose në të kundërt do të shpallë datën për zgjedhjet e ardhshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA