Shkarkimi i anëtarit të KQZ-së, Ilirian Muho, me votat e PD-së, së bashku me ato të ish-deputetëve socialistë Kastriot Islami, Asllan Dogjani dhe Xhovalin Kadeli, e ka futur Shqipërinë në një përplasje të hapur me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ashtu siç edhe deklaroi ambasadori Aleksandër Arvizu.

Pas prononcimit publik, kryediplomati amerikan, i shoqëruar nga zëvendësi i tij, Henri Xhardin, së bashku me sekretaren politike të ambasadës, zonjën Xhenifer Moore, në mbrëmjen e së hënës u takuan me kryeministrin Berisha.

Takimi ka zgjatur 35 minuta, ku është diskutuar situata e rënduar politike, që lidhet me KQZ-në. As Kryeministria dhe as ambasada amerikane nuk kanë dhënë detaje të këtij takimi. Më pas, Arvizu i është drejtuar parlamentit për të ndjekur nga afër diskutimet.

Gjatë deklaratës në mesditën e së hënës, ambasadori kërkoi respektimin dhe lejimin e funksionimit të  KQZ-së jashtë çdo ndërhyrjeje politike, përfshi këtu edhe parlamentin.

“Së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, ajo që kemi theksuar në mënyrë konseguente dhe të përsëritur është apeli për të gjithë personalitetet, për të gjitha institucionet, për njerëzit në qeveri, për njerëzit në opozitë, të veprojnë në mënyra që rrisin besimin e njerëzve, besim jo te rezultati, por te procesi, në mënyrën se si zhvillohen zgjedhjet. KQZ është institucioni përgjegjës për zhvillimin e zgjedhjeve dhe, si i tillë, është me rëndësi, që pavarësia e këtij institucioni të respektohet. KQZ duhet të jetë e lirë nga çfarëdo ndërhyrjeje nga ndonjë individ, nga ndonjë institucion, dhe këtu përfshihet edhe Kuvendi i Shqipërisë. Pra, është një thirrje shumë e thjeshtë dhe bazike, që e kemi bërë, dhe ndryshimi i rregullave në mes të lojës, në mes të procesit, është pikërisht mënyra e gabuar për të frymëzuar besimin, për të cilin flasim”, deklaroi Arvizu.

Top Channel e pyeti ambasadorin amerikan, nëse ndryshimi i rregullave të lojës është shkelje e çdo kufiri nga mazhoranca. Arvizu dha këtë përgjigje.

“Nuk mendoj se ka njeri, që do të donte një vendim apo veprim, që do ta vendoste Shqipërinë në rrugën e përplasjes me SHBA dhe komunitetin ndërkombëtar; sepse synimi këtu, objektivi është zgjedhje të lira dhe të ndershme. E gjitha ka të bëjë me procesin, nuk ka të bëjë me rezultatin”.

Arvizu foli edhe për rrethanat e ndryshuara pas ndërtimit të koalicionit PS-LSI, të cilat do të reflektojnë në formimin e KZAZ-ve.

“Nuk ka diskutim që, kur LSI vendosi të tërhiqej nga koalicioni qeverisës dhe të hynte në koalicion me Partinë Socialiste, kjo solli rrethana të ndryshuara, përfshirë edhe ato në 89 KZAZ-të. Pozicioni i SHBA është që KQZ, siç është e ndërtuar aktualisht, ka jo vetëm kapacitetin, por edhe përgjegjësinë për të trajtuar çështjet, që lindin nga administrimi i zgjedhjeve. Dhe kjo, sigurisht, përfshin edhe pse nuk kufizohet vetëm në përbërjen e 89 KZAZ-ve. Me fjalë të tjera, struktura ekziston, e rendësishme është të lejohet KQZ-ja, që të kryejë punën e saj”.

Top Channel